“Rrezik konkret”, Gjykata pasi ia caktoi 30 ditë Gecit: Nëse lihet në liri mund të ushtrojë presion ose ta realizojë kanosjen

14 tetor 2026 | 18:27

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar një muaj paraburgim ndaj Gani Gecit, të dyshuarit për kanosje ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj, duke listuar arsyet e këtij vendimi.

Gjyqtari i procedurës paraprake, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit G.G., duke caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, tha gjykata.

Gjykata tha se vlerësoi se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, pasi “ekziston rreziku që i pandehuri të përsërisë veprën penale apo të kryejë veprën penale me të cilën ka kanosur, gjithashtu gjykata vlerëson se rreziku është konkret, real dhe i bazuar në rrethanat e veçanta të këtij rasti”.

Në këtë drejtim, gjykata ka marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra penale, përmbajtjen dhe intensitetin e kërcënimeve, si dhe sjelljen e të pandehurit pas ngjarjes.

“Gjykata vlerëson se nëse i pandehuri lihet në liri pa masa të përshtatshme parandaluese, mund të tentojë të kontaktojë sërish të dëmtuarin L.M., të ushtrojë presion të mëtejshëm ndaj tij, përmes kanosjeve ose të ndërmarrë veprime për realizimin e kanosjes së pretenduar”.

Gjykata po ashtu vlerëson se, në rrethanat konkrete të rastit, masat alternative ndaj paraburgimit nuk do të ishin të mjaftueshme për ta evituar rrezikun e përsëritjes së veprës penale ose të kryerjes së veprës me të cilën pretendohet se është kanosur i dëmtuari. Andaj, në këtë fazë të procedurës, masa e paraburgimit është e domosdoshme dhe se asnjëra nga masat e tjera të parapara me nenin 171 të KPPRK-së nuk do të ishte e mjaftueshme për të evituar rrezikun konkret të identifikuar në këtë çështje penale.

Palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka…