Policia e Kosovës dhe KFOR-i vizituan pjesën veriore të vendit
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha dhe drejtori i Departamentit për Kufi, nënkolonel Fehmi Xhata, së bashku me admiralin George M. Wikoff, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli dhe gjeneralmajorin Roberto Vergori, komandant i KFOR-it, me datën 15 tetor 2026, kanë vizituar njësitë policore kufitare dhe patrullat e përbashkëta të Policisë së Kosovës dhe KFOR-it në pjesën veriore të vendit.
Vizita kishte për qëllim vlerësimin nga afër të angazhimeve të përbashkëta në mbikëqyrjen e brezit kufitar, përkatësisht të vijës së gjelbër dhe vijës së kaltër, si dhe të bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet njësive përkatëse në përmbushjen e detyrave të tyre.
Gjatë vizitës u vlerësua bashkëpunimi i vazhdueshëm ndërmjet Policisë së Kosovës dhe KFOR-it, me theks të veçantë në rëndësinë e patrullimeve të përbashkëta, shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit në terren, në funksion të mbikëqyrjes kufitare dhe forcimit të sigurisë.
Palët theksuan rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional, si kontribut i rëndësishëm për ruajtjen e një mjedisi të sigurt, garantimin e paqes dhe stabilitetit, si dhe sigurinë për të gjithë qytetarët.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në përmbushjen e mandatit të saj ligjor dhe në forcimin e bashkëpunimit me KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë, në shërbim të sigurisë dhe stabilitetit në Republikën e Kosovës.



