Këngëtarja Shkurte Fejza i drejtohet Edi Ramës: Dëgjojini studentët dhe gjeni një zgjidhje për ta
Këngëtarja e njohur shqiptare, Shkurte Fejza, i është drejtuar me një mesazh publik kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, duke kërkuar mirëkuptim dhe një zgjidhje për shqetësimet e studentëve.
Përmes një postimi në “Facebook”, Fejza ka bërë thirrje që zëri i studentëve të dëgjohet me vëmendje dhe pa paragjykime, duke theksuar se të rinjtë janë pjesë e rëndësishme e së ardhmes së Shqipërisë.
Ajo ka theksuar se pas çdo studenti që kërkon zgjidhje qëndron një familje me shpresa, sakrifica dhe ëndrra, ndërsa ka kërkuar nga kryeministri që të gjendet një rrugë mirëkuptimi që u jep shpresë studentëve dhe qetësi familjeve të tyre.
“Zoti Kryeministër, ndonjëherë madhështia e udhëheqjes nuk qëndron vetëm në vendimet që merren, por edhe në gatishmërinë për të dëgjuar, për të kuptuar dhe për të gjetur dorën e pajtimit”, ka shkruar Fejza.
Këngëtarja ka theksuar se zgjidhja duhet të jetë e drejtë dhe e arsyeshme, duke mos e thelluar ndarjen, por duke ndërtuar ura besimi mes institucioneve dhe qytetarëve.
“Shqipëria ka nevojë për qetësi, urtësi, drejtësi dhe zemërgjerësi. Ka nevojë që të rriturit t’i dëgjojnë të rinjtë dhe që shpresa të mos shuhet në sytë e tyre”, ka shkruar ajo.
Në fund të mesazhit të saj, Shkurte Fejza ka shprehur dëshirën që fjala të shërbejë si urë bashkimi dhe ka uruar një të ardhme më të mirë për Shqipërinë dhe qytetarët e saj.



