“Mos na shkelni”, punëtorët teknikë të sektorit privat protestojnë për paga
Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës (FSPTSPK) ka nisur protestën për shkak të mospagesës së pagave në përputhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës për pagën minimale, raporton Ekonomia Online.
Përmes kësaj proteste punëtorët teknikë po kërkojnë që vendimi i Qeverisë për pagën minimale të zbatohet edhe në rastin e tyre dhe që pagat të jenë në përputhje me vendimin në fuqi.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi në fjalën e tij tha se nga qershori kanë kërkuar që vendimi për pagën minimale të respektohet nga të gjithë.
“Më shumë se që nga qershori kemi filluar që kësaj komune ta paralajmërojmë, se në momentin e rritjes së pagës minimale që nga korriku ne duhet patjetër që ta respektojmë këtë vendim, e këtë vendim duhet ta respektoni edhe ju”, tha Azemi.
“I garantoj që këta punëtorë derisa nuk nënshkruhet paga minimale dhe të mos kryhen të gjitha obligimet ndaj këtyre punëtorëve, nuk ka me pasë punë. Na vjen keq nga nxënësit, por na është imponuar. Nuk ka më shërbime, nuk ka më skllavëri, paguaji paret, kryej punët. Përndryshe ne do të vazhdojmë deri në infinit, qoftë deri në Vitin e Ri”, tha ai.
Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës ka ngritur shqetësimin për moszbatimin e këtij vendimi në pagesën e punëtorëve, të cilët kërkojnë trajtim të drejtë dhe respektim të të drejtave të tyre.
Protesta po mbahet në shenjë pakënaqësie ndaj situatës së krijuar, ndërsa punëtorët po kërkojnë që institucionet përgjegjëse të ndërmarrin veprimet e nevojshme për zgjidhjen e këtij problemi.



