Xhemal Ibishi, njeriu i momentit te Malisheva: Pesë gola, tri asistime dhe synimet e larta individuale dhe me ekipin
Sulmuesi shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Xhemal Ibishi është shndërruar në një prej emrave më të spikatur të këtij fillimsezoni në futbollin kosovar.
Me pesë gola të shënuar në nëntë xhirot e para të Superligës së Kosovës, sulmuesi i Malishevës po dëshmon se është një nga lojtarët më në formë të kampionatit, duke u renditur i dyti në listën e golashënuesve.
Kontributi i tij nuk kufizohet vetëm te golat. Ibishi ka regjistruar edhe tri asistime në kampionat, ndërsa ka gjetur rrugën drejt rrjetës edhe në Ligën e Konferencës, në përballjen ndaj Vllaznisë.
Golat ndaj Drenicës, Llapit, Ballkanit, Dritës dhe Prishtinës dëshmojnë ndikimin e tij në ndeshjet e Malishevës, e cila pas nëntë xhirove ndan kreun e tabelës me Prishtinën, me nga 20 pikë.
Në një intervistë për Telegrafin, Ibishi ka folur për formën e tij të mirë, pritshmëritë në fillim të sezonit dhe objektivat personale e të skuadrës. Ai ka treguar se starti pozitiv nuk ka qenë befasi për të, duke e lidhur atë me përgatitjet e mira verore dhe mbështetjen që ka marrë nga ekipi që në ndeshjet e para. “E kam pritur një start të tillë pasi jam ndier mirë në fazën përgatitore dhe ekipi më ka mbështetur që në startin e sezonit duke filluar nga ndeshjet e garave evropiane”, ka thënë fillimisht Ibishi.
I pyetur nëse e konsideron befasi renditjen në mesin e golashënuesve më të mirë të Superligës, sulmuesi ka theksuar se cilësitë e tij i kishte dëshmuar edhe në sezonin e kaluar, kur kishte marrë mundësi për të luajtur. “Nuk besoj se mund të jetë befasi pasi e kam dëshmuar sado pak kualitetin tim në mundësitë që më janë dhënë sezonin e kaluar”.
Sa i përket potencialit të Malishevës dhe mundësisë për të luftuar për pozitat e para, Ibishi ka shprehur bindjen se skuadra ka cilësitë e nevojshme për të qenë në mesin e ekipeve më të mira, duke rikujtuar se ky është një objektiv që klubi e ndjek pothuajse çdo sezon. “Patjetër që ky ekip ka potencial për të luftuar për pozitat e para në tabelë pasi ky është objektivi Malishevës gati çdo vit”.
Malisheva ka kaluar edhe nëpër ndryshime të trajnerëve gjatë kësaj periudhe, por Ibishi ka bërë të ditur se kjo nuk ka pasur ndikim të madh në grup. Sipas tij, vazhdimësia e ekipit dhe përvoja e përbashkët e futbollistëve kanë qenë faktorë të rëndësishëm për ta ruajtur stabilitetin.
“Ndryshimi i trajnerëve nuk ka ndikuar shumë tek ne pasi kemi ruajtur grupin që kemi disa vite bashkë, por kemi mësuar diçka nga eksperiencat e tyre. Përkundrazi na kanë ndihmuar të bëhemi edhe më të fortë”.
Në fund, sulmuesi ka treguar se objektivi kryesor mbetet suksesi i skuadrës, por nuk e fsheh dëshirën për ta mbyllur sezonin me çmimin e golashënuesit më të mirë të kampionatit. “Synimi im i parë është që Malisheva të dalë në pozitë sa më të lartë në tabelë, dhe pse jo do ishte kënaqësi të fitoja çmimin e golashënuesit më të mirë të sezonit”, përfundoi sulmuesi i Malishevës.
Me pesë gola dhe tri asistime në kampionat, si dhe me një gol në garat evropiane, Xhemal Ibishi po luan një rol të rëndësishëm në sezonin e Malishevës.
Nëse vazhdon me këtë ritëm, ai mund të jetë një nga protagonistët kryesorë si në garën për golashënuesin më të mirë, ashtu edhe në synimin e klubit për të qëndruar në mesin e skuadrave që luftojnë për titullin e Superligës së Kosovës.



