Intervistë / Gjenerali Hisen Berisha: Duhet të kërkohet zhbërja e Dhomave të Specializuara

19 tetor 2026 | 12:15

Gjenerali, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Hisen Berisha, ka thënë se vetëm zhbërja e Dhomave të Specializuara duhet ta bashkojë spektrin politik shqiptar dhe jo një ligj që nuk hap dyert e burgut. “Jo një kompromis që nuk garanton asgjë. Jo një shtrëngim duarsh për kamerat. Por një strategji shtetërore, institucionale dhe diplomatike për ta mbrojtur Republikën e Kosovës. Kosova nuk ka nevojë për marrëveshje që e shtyjnë problemin. Kosova ka nevojë për vendime që e zgjidhin problemin. Dhe sot, problemi quhet qartë: Zhbërja e dhomave të specializuara”, ka thënë ai në një intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”.

Berisha thotë se PDK-ja dhe AAK-ja duhet t’i bëjnë presion presidentes, Qeverisë dhe ministrit përgjegjës për të nisur luftën diplomatike për zhbërjen e Dhomave të Specializuara.

Ai ka theksuar se Strategjia Shtetërore për Apelin në Hagë dhe Grupi Punues me përfaqësues të Qeverisë, Kuvendit e opozitës rrezikojnë të jenë një farsë tjetër politike, në të njëjtën frymë me amendamentimin e vonuar të ligjit.

Berisha ka theksuar se presioni politik do ta detyrojë çarjen PDK/LV. “Rruga jonë e përbashkët mund të përfundojë para marsit. Sepse, Kurti i ka 62 vota dhe, në këtë fazë, asgjë nuk e kërcënon seriozisht qeverisjen e tij përveç konfliktit me Bashkimin Evropian dhe pasojave që mund të prodhojë ai konflikt”, ka theksuar Berisha.

Pse po e kundërshtoni Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe pse thoni se ai nuk ua hap derën e burgut krerëve të UÇK-së?
Hisen Berisha: Zhvillimet e fundit politike në Kosovë duhet të lexohen jo vetëm nga ajo që u tha në Kuvend, por sidomos nga ajo që po ndodh pas marrëveshjeve, veprimeve dhe reagimeve politike. Dhe, kur i lexon këto zhvillime në kuptimin veprim-reagim-dakordim, një gjë bëhet gjithnjë e më e qartë, kjo klasë politike, në tërësi, po sillet brenda një hapësire politike ku përgjegjësia po shpërndahet te të gjithë. Kosova kaloi një moment të rëndë të rrezikut institucional.
U shpëtua nga shpërbërja e Republikës që mund të vinte nga bllokimi, defunksionalizimi institucional dhe dezorganizimi kushtetues, të shoqëruara me revoltë qytetare. Por tashmë po përballemi me një tjetër pasojë politike e strategjike, shumë më të thellë, çfarë po bëjmë me shtetin pas këtij kompromisi dhe çfarë po bëjmë përballë pasojave të procesit në Hagë? Sepse një gjë duhet thënë qartë, ky ligj nuk ua sjell pafajësinë të dënuarve në Hagë. Ky ligj nuk e hap derën e burgut për krerët e UÇK-së. Ata që mbahen atje, sipas këtij ligji, vazhdojnë të qëndrojnë në qelitë e Hagës edhe për vite. Prandaj, të paraqitet ky ndryshim ligjor si zgjidhje e çështjes së tyre është politikisht dhe juridikisht mashtrim. Ky nuk është lirimi i tyre.
Nuk është rrëzimi i aktgjykimeve. Nuk është rrëzimi i konceptit mbi të cilin është ndërtuar aktakuza dhe procesi. Ndërkohë, presidentja Justina Shiroka-Pula e cilëson miratimin e Ligjit për Specialen si “një hap të rëndësishëm për drejtësinë në Kosovë”. Për çfarë drejtësie po flasim, kur ky ligj nuk ua hap dyert e burgut krerëve të UÇK-së dhe nuk e rrëzon konceptin që e trajton luftën tonë çlirimtare përmes tezës së “Organizimit të Përbashkët Kriminal”? Kjo është vazhdim i lojës politike me shpresat e qytetarëve, kur secili po përpiqet ta largojë nga vetja përgjegjësinë, duke e paraqitur një mekanizëm të konsumuar, të koroduar dhe pa fuqi reale për ta zgjidhur çështjen si arritje politike. Në vend të zgjidhjes, kemi një shpresë të rreme që u shitet qytetarëve si fitore, ndërsa problemi themelor mbetet i pazgjidhur. Nga pretendimet e akuzës dhe nga vendimi i shkallës së parë, UÇK-ja është trajtuar në kuadrin e konceptit të “Organizimit të Përbashkët Kriminal”. Dhe pasojat e këtij koncepti nuk mbarojnë me ata që sot janë në Hagë. Këtu është problemi i vërtetë.
Duhen vite të tëra të luftës institucionale, juridike dhe diplomatike për ta kundërshtuar këtë interpretim dhe për t’i mbrojtur ish-luftëtarët e UÇK-së nga rreziku që, mbi bazën e këtij interpretimi, të mbeten potencialisht të akuzueshëm, të arrestueshëm e të gjykueshëm edhe në të ardhmen. E këtë mund ta bëjmë nëse Beogradi, me precedentin juridik që po krijohet dhe adutin që po i japim, do na lërë hapësirë veprimi në kohë. Prandaj, nuk mjafton ndryshimi i ligjit. Nuk mjafton ulja e dënimeve. Nuk mjafton një kompromis parlamentar. Çështja është shumë më e madhe, prandaj duhet vetëm zhbërja e Dhomave të Specializuara.

Qeveria mori vendim për strategji shtetërore kundër apelit; sa ka shpresë për rrëzimin e pretendimeve të akuzës dhe themelores?
Hisen Berisha: Edhe Strategjia Shtetërore për Apelin në Hagë dhe grupi i punës me përfaqësues të Qeverisë, Kuvendit e opozitës rrezikojnë të jenë një farsë tjetër politike, në të njëjtën frymë me amendamentimin e vonuar të ligjit. Amendamentimi duhej të bëhej para dhe gjatë procesit, jo pasi u shpall vendimi, ndërsa mbrojtja duhej të financohej në kohë, e jo të lihej pa mbështetje deri në atë pikë sa avokatët të tërhiqeshin për mungesë financimi nga Qeveria.
Sot, në vend të grupeve të punës dhe strategjive në letër, buxheti duhet të garantojë menjëherë financimin e trupës së mbrojtësve dhe përgatitjen serioze të Apelit.
Përndryshe, kemi të njëjtin mashtrim politik e juridik, krijim të shpresave pa zgjidhje konkrete, sepse as amendamentimi dhe as strategjia e vonuar nuk garantojnë lirimin e krerëve të UÇK-së apo rrëzimin e konceptit të “Organizimit të Përbashkët Kriminal”. Çfarë po u themi ne përfaqësuesit e familjes së përbashkët politike, të dënuarve në Hagë, kur theksojmë se “nuk do t’i lëmë vetëm”?
Në thelb, kjo po tingëllon si një ligjëratë që dëgjohet nga foltoret, ku predikuesi u thotë të pranishmëve: “për të gjitha të mirat që bëni në këtë jetë, do ta merrni shpërblimin në jetën tjetër dhe do të jeni banorë të parajsës/xhnetit”. Ndërkohë, për tash, vazhdoni të jetoni këtu, në ferr/burg. Pra, u premtohet shpërblimi i nesërm, ndërsa realiteti i sotëm mbetet i pandryshuar.
Prandaj, nëse kjo strategji nuk synon një veprim të mirëfilltë shtetëror, juridik e diplomatik për ta kundërshtuar këtë koncept dhe për të kërkuar zhbërjen e Dhomave të Specializuara, atëherë kemi të bëjmë me një tjetër fasadë politike, që krijon përshtypjen e veprimit, por nuk e zgjidh problemin.
Kosovës nuk i duhen strategji për ta menaxhuar dështimin dhe as ligje për ta shitur kompromisin si fitore, por i duhet një strategji e vërtetë shtetërore për mbrojtjen e Republikës dhe të luftës së UÇK-së. Dhe për këtë duhet të ketë një qëndrim të qartë politik të të gjithë spektrit politik shqiptar. Pas këtij zhvillimi, PDK-ja dhe AAK-ja duhet t’i bëjnë presion presidentes, Qeverisë dhe ministrit përgjegjës për të nisur luftën diplomatike për zhbërjen e Dhomave të Specializuara.
Duhet të vendosen kontaktet dhe komunikimi strategjik e diplomatik me Senatin dhe Kongresin amerikan, me Shtëpinë e Bardhë dhe me aleatët e Kosovës, për ta mbrojtur Republikën nga pasojat që mund të prodhojë ky interpretim dhe ky proces në Hagë. Kjo duhet të jetë çështje shtetërore, jo çështje e një partie.

A ka qenë i sinqertë angazhimi i Albin Kurtit për zhbërjen e Dhomave të Specializuara?
Hisen Berisha: Jo! Vetëm Ramush Haradinaj duke e ditur se Kurti nuk e ka pasur sinqerisht angazhimin për mbylljen e Dhomave në Hagë, iu bashkua qëndrimit për zhbërjen e tyre; e deklarroi edhe në foltoren e Kuvendit. Ai ka thënë se duhet zhbërë Gjykata, por më pas eci me PDK-në në ndryshimin e ligjit, edhe pse është i vetëdijshëm se ky ndryshim nuk ua sjell lirinë të mbajturve atje.
Prandaj, jam konsistent se nuk duhet të mjaftohemi me këtë. Duhet të kërkohet zhbërja e Dhomave. Sepse çdo zgjidhje tjetër vetëm e shtyn problemin. Dhe këtu duhet të bëhet dallimi themelor se, një gjë është humanizmi i dënimeve, një gjë tjetër është kufizimi i mandatit, një tjetër është transferimi i çështjeve dhe krejt tjetër është zhbërja e Dhomave të Specializuara.
Unë jam për këtë të fundit.
Ky është, pra, epilogu i gjithë atyre ditëve, i gjithë atij aktiviteti kombëtar e politik dhe i gjithë asaj përpjekjeje për ta ruajtur Republikën. Po, republika u shpëtua, por problemi nuk mbaroi.

Çfarë fitoi dhe çfarë humbi PDK-ja nga kompromisi me LVV-në?
Hisen Berisha: Në Kosovë ka ndodhur një lloj katarsisi brenda dy subjekteve më të mëdha shqiptare, LVV-së dhe PDK-së.
Ky fuzionim politik rreth ligjit dhe presidentes, ku po spekulohet se “Presidenten e mori PDK-ja,” ndërsa qeverinë komplet dhe drejtimin e Kuvendit me mazhorancë e ka, përkatësisht e mori LVV-ja, kërkon shumë lëvizje të brendshme brenda dy koncepteve politike që deri dje kanë qenë të ndara e kundërthënëse. Kjo përfshin edhe AAK-në dhe Nismën, të cilat ishin pjesë e këtij zhvillimi politik.

Sa e qëndrueshme është kjo marrëveshje politike dhe kujt i shërben ky kompromis?
Hisen Berisha: Duhet analizuar përmes dy dilemave; sa i logjikshëm dhe sa i qëndrueshëm do të jetë kompromisi Albin-Bedri, nga një marrëveshje e arritur në rrethana të tilla politike dhe pas një periudhe të tillë përplasjeje, presioni e frike nga dalja e veteranëve në shesh? Dhe çështja e dytë është edhe më e drejtpërdrejtë, kujt i shërben ky hap, ky shtrëngim duarsh dhe kjo shpresë e goditur nga uniforma e “shtetit”, nën komandën e Dejana Mihajlit: “NJOS në rresht për dy! Para ec!”
Nëse njerëzit që mbahen në Hagë duhet të vazhdojnë të qëndrojnë në qeli, atëherë duhet ta themi pa ekuivok se, Ligji nuk ua hap dyert e burgut. Ky është realiteti. Pikërisht këtu fillon edhe shqyerja e fitores së Bedri Hamzës, dhe krejt kjo, brenda vitit, mund të shumëzohet me zero. PDK-ja mund ta ketë fituar një betejë taktike në procesin politik rreth presidentes dhe ligjit, por një fitore taktike nuk është domosdoshmërisht fitore strategjike. Sepse ky “kompromis” i LVV me PDK-në nuk i garanton askujt asgjë.
Procesi në Hagë, do të vazhdojë dhe shumë shpejt do të shohim se çfarë çarjesh politike do të sjellë ai. Fakti që Donika Gërvalla nuk e votoi ligjin, madje as nuk qëndroi në sallë, është një sinjal politik. Fakti tjetër që Albin Kurti vetë ka bërë aktakuzë politike kriminalizuese ndaj Hashim Thaçit, është pjesë e historisë politike që nuk mund të fshihet me një shtrëngim duarsh, flet se, kjo situatë në Kosovë nuk mund të lexohet thjesht si kompromis.
Është një veprim amorf politik, i cili nuk erdhi nga një tavolinë e qartë bisedimesh, por nga komunikimet përmes mediave, të cilat prodhuan edhe një pozicion të Presidentes në një kohë kur ajo nuk po e përcillte as në televizion gjendjen dhe zhvillimet në Kuvend.
Kurti e shtyu për aq gjatë çështjen e Presidentes dhe, nëse do të varej vetëm nga kalkulimi i tij politik, ndoshta nuk do ta zgjidhte fare.
Por, nuk iu plotësua kushti për zgjedhje të parakohshme më 27 dhjetor dhe ai pranoi të ecte tutje. I vetëdijshëm se ky veprim nuk garanton asnjë parashikim për të ardhmen.

A garanton zgjedhja e presidentes së re stabilitet politik dhe institucional në Kosovë?
Hisen Berisha: Presidentja është formula që nuk garanton stabilitet sepse, presidentja nuk është e PDK-së. Ajo është rezultat i një platforme politike të propozuar nga Kurti dhe strukturat që, sipas vlerësimit tim politik, lidhen me një koncept të vjetër jugonostalgjik. Prandaj, formula politike nga e cila vjen kjo zgjedhje për presidente nuk ndez ndonjë shpresë të veçantë për stabilitetin politik, ekonomik dhe diplomatik të Kosovës. Kosova tashmë është degraduar deri në një shkallë të rëndë të çthurjes institucionale dhe politike.
Për më tepër, që nga burgosja e Hashim Thaçit e deri më sot, Kosova ka kaluar një periudhë të zymtë të aktivitetit presidencial, pa ndonjë njohje të re dhe pa ndonjë aktivitet presidencial që do të mund ta ndryshonte këtë gjendje.
Prandaj, presidentja e re do të ketë përballë një përgjegjësi shumë më të madhe sesa vetë mënyra se si u zgjodh.
Ajo duhet të dëshmojë se mund ta ushtrojë funksionin presidencial me dinjitet shtetëror, përgjegjësi kushtetuese dhe orientim të qartë euroatlantik. Mund të konkludoj se, ky nuk është fundi i krizës, është fillimi i një faze të re të saj.

A mendoni se presioni politik do ta çojë deri te prishja e marrëveshjes ndërmjet PDK-së dhe LVV-së?
Hisen Berisha: Mendoj se presioni politik do ta detyrojë çarjen PDK/LVV. Rruga jonë e përbashkët mund të përfundojë para marsit. Sepse, Kurti i ka 62 vota dhe, në këtë fazë, asgjë nuk e kërcënon seriozisht qeverisjen e tij përveç konfliktit me Bashkimin Evropian dhe pasojave që mund të prodhojë ai konflikt. Prandaj, dimri politik që po vjen nuk mund t’i ngrijë pakënaqësitë brenda subjekteve shqiptare. Përkundrazi, ato do të shkrihen dhe do të shpërthejnë.
Do të kemi tema të shumta, lëvizje të brendshme politike dhe, ndoshta, edhe daljen në skenë të figurave të reja politike. Mund të kemi riorganizime, përplasje dhe shkëputje që sot ende nuk duken.

A është kjo marrëveshje një mundësi për reformimin e klasës politike shqiptare dhe për ndërtimin e një alternative të re politike?
Hisen Berisha: Dhe këtu fillon një pyetje shumë më e madhe se “marrëveshja”, sa është kjo klasë politike në gjendje ta reformojë vetveten? Pas një katarsisi politik të të gjitha subjekteve të infektuara nga sorosizmi, duhet një shkëputje radikale nga e kaluara.
Kosova ka nevojë për reformimin e klasës politike dhe për shkëputjen nga e kaluara komuniste e titiste dhe nga ajo që unë e konsideroj si vazhdimësi të re sorosiste. Duhet të ndërtohet dhe të unifikohet një nacionaldemokraci shqiptare si vlerë politike e shtetërore, e mbështetur mbi ato vlera që kanë mbajtur kombin shqiptar ndër shekuj e që janë tre shtylla: Zoti, familja, prona dhe ligji.
Kjo është baza mbi të cilën duhet të ndërtohet një e djathtë shqiptare moderne, demokratike dhe shtetformuese.
Sepse shqiptari i Kosovës, në thelb, nuk ka lindur me konceptin e ekstremit të majtë. Qeverisja Kurti është, për mua, një dënim politik për shqiptarët e Kosovës, të cilët lindin dhe vdesin të djathtë.
Vetëm nga zori i historisë, nga dhuna dhe represioni i Rankoviçit, disa familje kosovare u shtynë drejt së majtës. Masakra e Tivarit dhe lufta kundër Shaban Polluzhës ishin goditje fatale ndaj së djathtës kosovare dhe ndaj elitës së saj politike e kombëtare. Prandaj, sot kemi nevojë për një rikthim te nacionaldemokracia shqiptare, jo për një rikthim te komunizmi, jugonostalgjia apo format e reja të së njëjtës ideologji.
Ky është edhe momenti ku PDK-ja, AAK-ja dhe të gjitha partitë që e konsiderojnë veten parti të luftës dhe të shtetformimit duhet të reflektojnë në pyetjen se, kush do ta mbrojë Republikën?

Në përfundim, a mund të thuhet se Republika u shpëtua nga kriza institucionale, por se problemi themelor me Dhomat e Specializuara mbetet i pazgjidhur?
Hisen Berisha: Po, Republika e Kosovës shpëtoi nga shpërbërja, por rrezikon të merret peng nga një interpretim monist e sorosist i çështjeve të shtetasve të saj. Prandaj nuk mund të festojmë një kompromis politik sikur problemi u zgjidh. Jo, problemi nuk u zgjidh.
Ligji për Dhomat, i cili me asgjë nuk garanton lirinë e të dënuarve atje në Hagë, nuk mund të paraqitet si fund i betejës.
Përkundrazi, beteja e vërtetë sapo fillon. Sepse nëse ky interpretim mbetet në fuqi, po krijohet një precedent juridik, pasojat e të cilit nuk kufizohen te Hashim Thaçi, Kadri Veseli, e tjerët.
Pasojat shtrihen mbi të gjithë ata që kanë qenë pjesë e luftës së UÇK-së dhe mbi vetë mënyrën se si historia e luftës për lirinë e Kosovës do të trajtohet juridikisht në të ardhmen. Prandaj, vetëm zhbërja e Dhomave të Specializuara duhet ta bashkojë spektrin politik shqiptar. Jo një ligj që nuk hap dyert e burgut. Jo një kompromis që nuk garanton asgjë. Jo një shtrëngim duarsh për kamerat. Por një strategji shtetërore, institucionale dhe diplomatike për ta mbrojtur Republikën e Kosovës. Kosova nuk ka nevojë për marrëveshje që e shtyjnë problemin. Kosova ka nevojë për vendime që e zgjidhin problemin. Dhe sot, problemi quhet qartë: Zhbërja e dhomave të specializuara.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari,…