Tom Bingham dhe dilema e drejtësisë moderne
Mërgim Bekteshi
Kemi koncepte që përsëriten aq shpesh në diskursin politik dhe juridik, saqë rrezikojnë ta humbasin kuptimin e tyre të vërtetë. Sundimi i ligjit është njëri prej tyre. Ai ka një shtrirje tejet universale, do të thosha, në hapësirën njerëzore, por në praktikë shpesh përfundon në një diskurs interesant, sidomos në ato vende që ende e kanë të vështirë të shkëputen nga e kaluara.
Shpesh, përpjekjet për t’i ndryshuar gjërat në të mirë të qytetërimit hasin pengesa që nuk vijnë vetëm nga institucionet, por edhe nga vetë familja. Edhe kur dikush përpiqet t’i bindë familjarët se disa gjëra, të pranuara deri dje si të natyrshme, në të vërtetë ishin të gabuara, vullneti për t’i ndryshuar ato mund të pengohet që në hapin e parë. Nëse një ide e tillë e ka të vështirë të gjejë vend brenda familjes, aq më e vështirë bëhet të shndërrohet në një bindje të qëndrueshme shoqërore.
Kur mbaruan kremtet e Vitit të Ri 2026, një avokat, im bir, më solli dhuratë librin Sundimi i ligjit, të Tom Binghamit, botuar nga shtëpia botuese Albas. Ishte hera e parë që po njihesha me këtë autor. I vetmi emër që më ishte i njohur në këtë botim ishte ai i konsulentit shkencor, Bekim Sejdiut, profesor universitar dhe ish-gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës sonë, e cila, siç duket nganjëherë, mezi mbahet në këmbë: herë nga shirat e rreptë të vjeshtës, herë nga dimri zemërak e herë nga vala e të nxehtit afrikan. Mund të tingëllojë si shaka, si figuracion letrar, por është një shaka që fsheh një dhembje të vërtetë.
Leximi, ndonjëherë, të vë përballë një hyrjeje aq të fuqishme, sa të duket sikur një meteor ka goditur tokën. Ajo të trondit, të zgjon kureshtjen dhe të nxit të vazhdosh më tej. I tillë m’u shfaq Bingham: një jurist që bashkonte përvojën praktike të gjyqtarit me njohjen e gjerë të doktrinës juridike dhe të mendimit botëror.
Më kujtohet një komedi shqiptare, ajo e shkopit të Maliqit, ku ligji dukej sikur mishërohej në vetë Maliqin, ndërsa shkopi i tij ishte zgjatimi i një dore të fortë, që nuk njihte kufij. Një figurë e tillë satirike nuk i përket vetëm humorit të një kohe të shkuar. Ajo na kujton rrezikun që lind kur njeriu që ushtron pushtetin fillon ta identifikojë veten me ligjin dhe kur vullneti i tij bëhet më i rëndësishëm se norma juridike.
Edhe sot, në vende të ndryshme të botës, qytetarët dalin nga institucionet gjyqësore të zhgënjyer, të mllefosur dhe shpesh pa përgjigje për atë që e konsiderojnë padrejtësi. Në rrethana të tilla, sundimi i ligjit rrezikon të shndërrohet në një metaforë të stërzgjatur juridike, një shprehje që përsëritet në dokumente, fjalime dhe vendime, por që nuk arrin gjithmonë të përjetohet në jetën e qytetarit.
Bingham e trajton sundimin e ligjit si kusht të demokracisë, si garanci të lirisë dhe si themel të shtetit të së drejtës. Por kuptimi i tij nuk mund të shterojë në pohimin se qytetarët dhe institucionet duhet t’i binden ligjit. Çështja thelbësore është nëse ligji zbatohet në mënyrë të barabartë dhe nëse ata që ushtrojnë pushtet janë po aq të detyruar t’i nënshtrohen atij sa edhe qytetari i zakonshëm.
Autori përdor shembuj që e bëjnë këtë ide të prekshme, deri edhe përmes figurave të pazakonta, si ajo e pinguinit. Mesazhi është i qartë: askush nuk duhet të gëzojë imunitet nga ligji vetëm për shkak të pozitës që mban. Kryeministri dhe kryepeshkopi, pavarësisht dallimeve të pushtetit politik apo autoritetit moral, nuk mund të qëndrojnë mbi ligjin. Megjithatë, barazia para ligjit nuk nënkupton mekanikisht dënime identike në çdo rrethanë; ajo kërkon që dallimet në trajtim të mbështeten në arsye juridike dhe jo në privilegjin e pozitës.
Pikërisht këtë dallim e vë në qendër të reflektimit të tij Tom Bingham, në veprën The Rule of Law. Për autorin, çështja nuk është vetëm nëse ligji ekziston dhe zbatohet, por edhe nëse ai krijon kushtet për mbrojtjen e të drejtave, barazinë para drejtësisë dhe kufizimin e pushtetit arbitrar.
Edhe në vendet ku djepi i qytetërimit ka rrënjë të thella historike, sundimi i ligjit mbetet një çështje që kërkon shqyrtim të kujdesshëm. E çfarë të thuhet atëherë për Ballkanin, ku mjegullat e së kaluarës shpesh i turbullojnë mendjet dhe ku trashëgimia e autoritarizmit mund të mbijetojë edhe nën petkun e institucioneve moderne? Ironia këtu nuk është vetëm letrare. Ajo shpreh dyshimin se sa larg kemi arritur nga një botë ku pushteti personal sundonte mbi normën dhe sa shumë punë mbetet për ta shndërruar ligjin në një garanci të vërtetë për qytetarin.
Në këtë kuptim, vepra e Binghamit shndërrohet nga një trajtesë mbi parimet juridike në një shqyrtim të marrëdhënies ndërmjet autoritetit, lirisë dhe përgjegjësisë publike. Nëse shprehjen ‘aty ku mbaron ligji, fillon tirania’ e përdorim si përmbledhje të këtij shqetësimi, atëherë ajo na çon te një pyetje që nuk e humbet aktualitetin: kush e mban në të vërtetë kurorën? Mbreti që e mban në kokë, me filigranin dhe diademën e saj, apo ligji, të cilit duhet t’i nënshtrohet edhe mbreti?
Kjo pyetje bëhet edhe më e rëndësishme kur kujtojmë se historia njeh raste kur juristët janë kërcënuar, sulmuar apo vrarë pikërisht sepse kanë mbrojtur pavarësinë e gjykimit dhe kufijtë e pushtetit. Në këto rrethana, sundimi i ligjit nuk është një formulë e ftohtë juridike. Ai është një përpjekje e vazhdueshme për të penguar që vullneti i individit të shndërrohet në ligj dhe që forca të zërë vendin e arsyes.
Pa u ndalur në hollësitë e strukturës së librit, me hyrjen dhe epilogun e tij, ajo që të lë mbresë është madhështia e një mendjeje që, pavarësisht përvojës së gjatë praktike dhe përkushtimit ndaj ligjit, nuk e trajton drejtësinë si një çështje të zgjidhur njëherë e përgjithmonë. Përkundrazi, drejtësia mbetet e koklavitur, e ekspozuar ndaj gabimeve njerëzore, ndikimeve politike dhe dobësive institucionale.
Bingham nuk bëhet i bezdisshëm gjatë leximit. Ai di ta mbajë gjallë interesimin e lexuesit, duke e ndërthurur trajtimin juridik me shembuj konkretë dhe një gjuhë të kuptueshme. Kjo është një cilësi jo e zakonshme për një vepër që merret me koncepte të tilla. Ai nuk e ul rëndësinë e temës për ta bërë atë të kuptueshme; përkundrazi, e bën temën më të afërt me njeriun.
Ndoshta kjo është edhe merita më e madhe e librit: të na kujtojë se ligji nuk është qëllim në vetvete. Ai merr kuptim kur mbron njeriun nga arbitrariteti, kur e kufizon pushtetin dhe kur i jep qytetarit arsye të besojë se drejtësia nuk është privilegj i të fortit. Është fat për njerëzimin kur shfaqen mendje të ndritura që nuk mjaftohen me ushtrimin e profesionit të tyre, por brengosen për fatin e njeriut dhe për të ardhmen e shoqërisë.
Sepse në fund, pyetja nuk është vetëm nëse kemi ligje, por nëse kemi arritur të ndërtojmë një rend ku edhe ai që e shkruan ligjin, edhe ai që e zbaton, edhe ai që gjykohet prej tij, e dinë se askush nuk është pronar i drejtësisë.



