Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në takimin e liderëve të Institucioneve Supreme të Auditimit në kuadër të Rrjetit që u mbajt në Paris

19 tetor 2026 | 20:36

Me 15 dhe 16 tetor 2026 në Paris të Francës u mbajt takimi i liderëve të Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) në kuadër të Rrjetit të vendeve kandidate dhe kandidate të mundshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian në bashkëpunim me projektin e EUROSAI-t për Asistencë në Zhvillim (EDA) me mbështetjen e OECD/SIGMA dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë. Takimi pati për qëllim diskutimin e çështjeve me rëndësi për pavarësinë institucionale, forcimin e rolit të auditimit publik dhe shkëmbimin e përvojave profesionale.

Liderët e Institucioneve Supreme shqyrtuan dhe miratuan Planin e Punës së Rrjetit për periudhën 2027-2028 i cili përfshinë udhëheqjen për ndikimin e auditimit, mbrojtjen e pavarësisë së ISA-ve dhe forcimin e kapaciteteve të auditimit në lidhje me projektet e investimeve kapitale dhe reformat që lidhen me BE-në.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, shprehu gatishmërinë që ZKA-ja të jap kontribut në dy aktivitete të këtij plani, në auditimin e projekteve të investimeve kapitale si dhe në shkëmbimin e përvojave në auditimet paralele.

Në ditën e parë të takimit, diskutimet u përqendruan në mbrojtjen e pavarësisë së Institucioneve Supreme të Auditimit, me fokus në gjetjet dhe rekomandimet e raportit të përbashkët të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) dhe Iniciativës për Zhvillim të INTOSAI-t (IDI). Përveç aspektit ligjor, u trajtuan edhe faktorët e tjerë që ndikojnë në ushtrimin efektiv të pavarësisë, përfshirë marrëdhëniet institucionale, normat profesionale, sjelljen dhe besimin.

Në kuadër të panelit të parë, me temën “Mbrojtja e pavarësisë së Institucioneve Supreme të Auditimit”, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, prezantoi përvojën e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës në ushtrimin e mandatit kushtetues, pavarësinë dhe integritetin institucional. Znj. Spanca theksoi gjithashtu rëndësinë e integritetit profesional, transparencës dhe komunikimit të hapur me median, shoqërinë civile dhe qytetarët për forcimin e besimit publik.

Dita e dytë e takimit iu kushtua temave që ndërlidhen me auditimin e projekteve investuese, agjendën e reformave të Bashkimit Evropian dhe auditimin e reformave të lidhura me procesin e integrimit evropian.

Takimi u drejtua nga Auditori i Përgjithshëm i Maqedonisë së Veriut, Maksim Acevski që aktualisht kryeson Rrjetin, dhe fjalë rasti mbajtën Drejtues i programit SIGMA/OECD, Gregor Virant, President i Gjykatës Evropiane të Auditorëve, Tony Murphy, Auditorja e Përgjithshme e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë, Christina Gellerbrant Hagberg, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Iniciativës për Zhvillim të INTOSAI-t (IDI), Freddy Njamba, si dhe ekspertë të SIGMA/OCED.

Në këtë takim morën pjesë edhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj dhe Zyrtarja për Komunikim me Publikun, Shqipe Hetemi.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Albana Koçiu ka reaguar sërish për protestën e ditës së…