Elif Shafak për krizën e saj krijuese: A ia vlen të shkruash në kohë kaotike?
Autorja flet për fëmijërinë e saj nomade, vënien në shënjestër nga qeveria turke dhe kapërcimin e depresionit për të shkruar romanin e saj më të fundit.
Intervistë me romancieren Elif Shafak
Intervistoi: Lisa Allardice / The Guardian (titulli: ‘Is there any value in writing a story in a time of chaos?’: novelist Elif Shafak on her creative crisis)
Për një kohë të gjatë, Elif Shafak përmendej si “autorja grua më e lexuar” e Turqisë. Sot ajo me siguri është thjesht më e dashura. Orhan Pamuku mund të ketë fituar Çmimin Nobel për Letërsi, por janë romanet e Shafakut ato që kalojnë me zell nga njëri lexues te tjetri. Në qiell ka lumenj [There Are Rivers in the Sky] – i cili ndjek një pikë të vetme shiu nga Niniveja e lashtë deri te lumi Tigër në vitin 2018 – vitin e kaluar ishte një nga romanet më të shitura në Mbretërinë e Bashkuar. Ishulli i pemëve të zhdukura [The Island of Missing Trees], një histori dashurie e vendosur në Qipron postkoloniale dhe Londrën bashkëkohore, hyri në listën e ngushtë për [çmimin] “Women’s Prize” në vitin 2022, ndërsa 10 minuta e 38 sekonda në këtë botë të çuditshme [10 Minutes 38 Seconds in This Strange World], i rrëfyer nga një punonjëse seksi e vrarë në Stamboll, hyri në listën e ngushtë për çmimin “Booker” në vitin 2019. Dhjetorin e kaluar ajo u zgjodh presidente e Shoqërisë Mbretërore të Letërsisë [Royal Society of Literature]. Do të ishte tunduese të thuhej se Shafak po kalon një valë suksesi, por reputacioni dhe numri i lexuesve të saj janë rritur vazhdimisht prej më shumë se 20 vjetësh, gjatë një krijimtarie që numëron po aq libra, 14 prej të cilëve janë romane.
Në një fjalim TED më 2017, i cili është parë më shumë se 6.4 milionë herë, ajo e përshkruan veten si banore të Stambollit, “evropiane nga lindja dhe nga zgjedhja” dhe londineze prej shumë vitesh. “Më pëlqen ta mendoj veten si shpirt global, si qytetare të botës, nomade dhe rrëfimtare shëtitëse”. Romanet e saj përshkojnë shekuj dhe kontinente, duke përfshirë politikën, historinë, feminizmin dhe ekologjinë – zakonisht me një dozë realizmi magjik ose misticizmi.
Romani i saj më i fundit, Në një çast të shkurtër, e gjithë përjetësia [In One Brief Moment All Eternity], është jeta e trilluar e Gustave Flaubertit. “Ky libër është vërtet letra ime e dashurisë për letërsinë”, thotë Shafaku gjatë një kafeje në Londrën perëndimore, ku autorja 54-vjeçare ka jetuar me bashkëshortin dhe dy fëmijët e saj gjatë 18 vjetëve të fundit. Teksa Flauberti sot konsiderohet nuni i romanit modern – siç tha Nabokovi, pa Flaubertin nuk do të kishte pasur Marcel Proust apo James Joyce – pjesën më të madhe të jetës së tij e kaloi duke punuar me mund në errësirë. Pikërisht kjo i intereson Shafakut. “Libri flet për një djalë të vetmuar, të cilin pothuajse të gjithë rreth tij, përfshirë edhe anëtarët e familjes së tij, e keqkuptonin. Ai konsiderohej dështim, zhgënjim, trajtohej si ‘tjetri’”. Romani i kushtohet kujtdo që mund të jetë ndier i trajtuar në mënyrë të ngjashme. “Doja të mund të thosha: ‘ti je vëllai im, ti je motra ime’. Ky ishte fillimi”, thotë ajo.
Shafak flet me të njëjtën rrjedhshmëri dhe intensitet lirik me të cilin shkruan, me fjali të gjata e me shtrirje të gjerë. Ballë për ballë, ajo gjithashtu dëgjon me vëmendje dhe shpeshherë buzëqesh, pavarësisht seriozitetit të fjalëve të saj. Herën e fundit u takuam në fillim të këtij viti, kur ajo ishte pjesë e panelit për të diskutuar listën e Guardian-it me 100 romanet më të mira të të gjitha kohërave: Zonja Bovari [Madame Bovary] ishte mes 10 të parëve të saj, por, ashtu si vetë Flauberti, është adhuruese e madhe e Don Kishotit. Në skenë, ajo kishte zërin më të butë, por kur flet, të gjithë dëgjojnë. Kohët e fundit ajo ka gëzuar një popullaritet të përtërirë mes lexuesve më të rinj në BookTok. Nuk është për t’u habitur që pas veprimtarive të saj letrare krijohen radhë të gjata lexuesish të të gjitha moshave dhe kombësive për të marrë autografin e saj.
Në një çast të shkurtër, e gjithë përjetësia lindi nga vetë momenti ynë historik, të cilin Shafaku e ka quajtur “Epoka e tri A-ve: Angst, Anger and AI” [Ankth, Zemërim dhe IA]. Megjithatë, nisi gjithashtu nga “një vend shumë personal”, thotë ajo, kur po përballej me depresionin dhe ankthin, ose hüzün-in në turqisht, që do të thotë melankoli e thellë. “Mes një bote të formësuar nga luftërat dhe nga dhuna, përçarja, kriza klimatike, pasiguritë teknologjike, e gjen veten duke pyetur: ‘Cili është kuptimi i mbylljes së vetes në një dhomë të vogël dhe i shqetësimit për sinonimin e përsosur’”? – thotë ajo. “A ka ndonjë vlerë të shkruash ndonjë tregim të shkurtër, poezi, roman në kohë krize dhe kaosi, si kjo që po kalojmë? Doja ta analizoja këtë pyetje – krijimtarinë në kohë krize”.
Kjo e çoi përsëri në shekullin XIX, në një tjetër epokë ndryshimi dhe pështjellimi ku “jetoi një romancier i dashur i cili me shumë pasion ia kushtoi tërë jetën letërsisë”. Teksa Flauberti u përpoq të hynte në mendjen e një gruaje – në atë kohë një propozim radikal për një romancier burrë – Shafaku e përmbys premisën e Zonjës Bovary për ta treguar historinë e tij përmes disa grave, rrugët e të cilave mund të jenë kryqëzuar me të tijën. “Doja të bashkoja kanunin evropian të romanit me traditën gojore të rrëfimit në Lindjen e Mesme”, shpjegon ajo. “Hap një kuti dhe brenda saj ka një kuti tjetër; nën këtë histori ka një histori tjetër. Ka një polifoni zërash”.
Dhe, kështu, jeta e Flaubertit rrëfehet jo vetëm përmes syve të dados së tij të dashur, Julie; nënës së tij; dashnores së tij për shumë vite, Louise Colet; dhe, asaj që ai i ka besuar, George Sand, por edhe përmes një akrobateje që takon kur ishte djalë, një deveje të quajtur Xhamila dhe vetë Ema Bovarisë. Takojmë një valltare dhe kurtizane egjiptiane, Kuçuk Hanëmin, nga e cila Flauberti magjepset gjatë udhëtimeve të tij në Lindjen e Mesme dhe që përmendet vetëm kalimthi në biografi. “Doja ta kujtoja këtë grua dhe të thosha: ‘Ndoshta kjo është gruaja që frymëzoi Zonjën Bovari”, thotë Shafaku. “Dua të pohoj se në zemër të kësaj heroine ikonike letrare franceze dhe evropiane ndodhet një valltare egjiptiane”. Edhe opiumit, sifilizit dhe Stambollit (Shafaku e mendon gjithmonë qytetin si “ajo”) u kushtohen kapituj më vete.
“Sa herë filloj të shkruaj një libër, i them vetes: ‘Këtë herë do ta bëj minimalist’”, qesh ajo. “Mendoj se, për shkak të asaj që jam, mënyrës se si jam rritur, të gjitha këto ndikime kulturore janë si degë lumenjsh që derdhen në të. Ne të gjithë jemi të ndërlidhur, jo vetëm me njëri-tjetrin si qenie njerëzore, por edhe me natyrën. Për mua, forma e gjatë rrëfimtare ka të bëjë me nderimin e këtyre lidhjeve”.
Mund të ndahen nga gati dy shekuj, nga kombësia dhe nga gjinia, por sapo ajo nisi t’i kërkonte, lidhjet mes historisë së Flaubertit dhe historisë së saj ishin të habitshme, “duke filluar me atë fëmijëri të vetmuar, me atë ndjenjë të të qenit tjetri”, thotë ajo.
Edhe pse prindërit e saj ishin turq, Shafaku lindi në Strasburg të Francës në vitin 1971, ku i ati po studionte për doktoraturë. Prindërit e saj u shkurorëzuan pesë vjet më vonë dhe Elifa i vogël me të ëmën u kthyen të jetonin me gjyshen nga nëna në Ankara. Ashtu si Flauberti, Shafaku u rrit me dy figura amënore. Edhe pse gjyshja e saj ishte e paarsimuar, ajo këmbënguli që e ëma të kthehej në universitetin të cilin e kishte lënë kur u martua. Shafaku e quante të ëmën “motra e madhe”, ndërsa gjyshen “nënë”: “Nga njëra mora dashurinë për kulturën e shkruar, nga tjetra mora dashurinë për rrëfimin gojor”, thotë ajo. Ajo e kujton apartamentin e gjyshes si një vend plot magji, me studentë të majtë dhe tym cigaresh Gauloises.
Pavarësisht gjithë dashurisë në fëmijërinë e saj, Shafaku ndihej e braktisur nga i ati – një studiues që u martua sërish. Ashtu si i mirënjohuri doktor Flauberti, i ati i Gustaveit, ai ishte “shumë i shkëputur, shumë i ftohtë”. Ajo pothuajse nuk e pa gjatë pjesës më të madhe të fëmijërisë së saj dhe për një kohë të gjatë ishte shumë e zemëruar që ai ishte baba kaq i mirë për gjysmë-vëllezërit e saj. “Ndihesha sikur isha fëmija i harruar. Kishte një zbrazëti. Kishte mungesë dashurie”, thotë ajo. “Dhe, mendoj se edhe mungesat na formësojnë. Edhe heshtjet na formësojnë”.
Pasi më në fund u diplomua, e ëma u bë mësuese dhe më pas diplomate. Kur Shafaku ishte 10 vjeçe, ato u shpërngulën në Madrid ku ajo ishte nxënësja e vetme turke në shkollën ndërkombëtare. Si adoleshente, jetoi në Jordani dhe Gjermani. “Gjatë gjithë atyre viteve, kur isha vërtet shumë e vetmuar, librat ishin miqtë e mi”. Shafaku u kthye në Ankara për të marrë një diplomë në marrëdhënie ndërkombëtare, pasuar nga një doktoraturë në shkenca politike. Në të 20-at, pasi dha mësim në Stamboll, “u arratis” për të studiuar në ShBA. Romani i saj i parë, Sufiu [Pinhan], u prit me vlerësime kur u botua në Turqi në vitin 1997. Por, vendimi i saj për ta shkruar romanin e pestë, Shenjtori i marrëzive fillestare [The Saint of Incipient Insanities], në anglisht, u konsiderua tradhti nga shumë njerëz në vendlindje.
Paralelja më domethënëse mes Flaubertit dhe Shafakut është se veprat e të dyve janë nxjerrë në gjyq: Zonja Bovari për akuza për paturpësi në vitin 1857 dhe Bastardja e Stambollit [The Bastard of Istanbul] e Shafakut, në vitin 2006, për “denigrim publik” të turqizmit – për shkak se kishte shkruar për gjenocidin armen. Shafaku u detyrua të jetonte me truprojë për një vit e gjysmë. Fotografia e saj u dogj dhe u pështy. Ajo u shpall e pafajshme, por në vitin 2019 romani i saj 10 minuta e 38 sekonda në këtë botë të çuditshme u hetua nga autoritetet turke për “krime të paturpësisë”, së bashku me dy libra të mëparshëm, Vështrimi [The Gaze] dhe Tri bijat e Evës [Three Daughters of Eve], të cilët trajtonin temat si nuset fëmijë dhe ngacmimi seksual. Bashkëshorti i saj, Eyüp Can, gazetar turk dhe ish-redaktor i gazetës liberale turke Radikal, u fut në listën e të kërkuarve si pjesë e goditjes së presidentit Erdoğan ndaj intelektualëve – pas puçit të dështuar në Turqi të vitit 2016.
Ajo e ka përshkruar të qenit shkrimtare në Turqi si “pak a shumë si të të puthin në njërën faqe dhe të të godasin me shuplakë në tjetrën”, me puthjen nga lexuesit dhe shuplakën nga qeveria. Ajo dëshiron të theksojë se sa shumë duhen librat e saj në vendlindje. “Nëpër vende si Turqia, libri nuk është send personal. Nëse të pëlqen një roman, nuk mund ta kthesh thjesht në raft. Ia jep hallës ose tezes, ajo ia jep fqinjës së vet. Është rast jashtëzakonisht ngushëllues”.
Por, ajo u gjend sërish në qendër të një stuhie në vendlindje pas fjalimit të saj në TED të vitit 2017, me titull “Fuqia revolucionare e mendimit të larmishëm”, në të cilin deklaroi publikisht se ishte biseksuale. “Nuk e di nëse është guxim”, thotë tani. “Do të doja ta kisha bërë më herët. Por, abuzimi që mora nga vetë atdheu im, për javë të tëra pa ndërprerje, ishte mjaft, mjaft lëndues”.
Ajo nuk është kthyer në Turqi prej 11 vjetësh. “Ka një melankoli në këtë. Ndoshta jam në një mërgim të vetimponuar”, thotë ajo. “Por, si shkrimtare, kam nevojë për liri. Kam nevojë për lirinë e imagjinatës, lirinë e fjalës. Ndjeva sikur fillimisht migrova në gjuhën angleze dhe më pas në Mbretërinë e Bashkuar. Londra u bë vatër. Dhe, tani ndihem e rrënjosur këtu, dhe këtë e them si dikush që ka bërë një jetë shumë nomade”.
Vajza dhe djali i saj, të cilët sapo janë larguar nga shtëpia për semestrin e ri universitar, janë rritur duke folur anglisht. Nëna e saj e moshuar shpesh qëndron me ta për periudha të gjata. “Shpresoj të mos ofendoj, por mendoj se vetëm disa autorë burra mbi një moshë të caktuar kanë orare të sakta shkrimi”, thotë ajo me ironi. “Të gjithë të tjerët thjesht përpiqen të menaxhojnë role të shumta”. Ajo shpeshherë shkruan natën, duke dëgjuar me kufje hevi-metal, veçanërisht melodik-deth-metal. E dëgjon të njëjtën këngë vazhdimisht, shpesh 80 ose 90 herë. Është adhuruese e grupit armeno-amerikan System of a Down, i cili gjithashtu është shprehur shumë haptazi për gjenocidin armen. “E dua. Më jep kaq shumë energji”, thotë ajo. Dhe, në njëfarë mënyre, kjo e bën prozën e saj “më të qetë”.
Por, nuk e bën atë të qetë. Shkrimi nuk bëhet më i lehtë me moshën, thotë ajo. “Nuk ka rëndësi nëse është libri yt i parë, i pestë, i dhjeti, ti vuan. Ulesh në tavolinën e punës dhe ka shumë vetëdyshim. Ka shumë ankth, sulme paniku. Edhe kjo është pjesë e procesit krijues”. Kur mbaron, ajo nuk mbushet me kënaqësi apo krenari, por me pikëllim. “Ndiej një ndjesi humbjeje”, thotë ajo. “E kam shumë të vështirë t’i lë personazhet”.
Pastaj del përsëri në botë. Mendon se është vërtet e rëndësishme që gratë të kenë zë në jetën publike dhe habitet se sa shumë i pëlqejnë festivalet letrare. “Nga natyra jam vërtet introverte, kështu që habitati im i natyrshëm është vetëm një dhomë e vogël plot me libra”, thotë ajo. “Por, kur jam në skenë në një aktivitet letrar, nuk është punë e rëndë. Nuk është barrë. Është kënaqësi e jashtëzakonshme për mendjen ose shpirtin”. Si dikush për të cilin të folurit ka çuar në kërcënime me burgim, ajo është e acaruar nga cinizmi ndaj intelektualizmit në Mbretërinë e Bashkuar dhe në ShBA. “Konsiderohet si shenjë arrogance, mendjemadhësie”, thotë ajo. “Nuk pretendoj se jam intelektuale. Ajo që pretendoj është se kam shumë respekt për intelektin”.
Për Shafakun, letërsia është “një nga hapësirat e fundit demokratike që na kanë mbetur, ku nuk nxitojmë nga një gjë te tjetra, nuk ushqehemi vetëm me copëza informacioni, por ngadalësojmë dhe dëgjojmë përsëri njëri-tjetrin”, thotë ajo. “Arti i lashtë i rrëfimit është kaq universal. Është kaq i pakohë. Vërtet nuk i përket një etnie, rajoni apo feje të vetme. I përket mbarë njerëzimit. Kur shkruaj, dhe në librat e mi, unë përpiqem ta kujtoj atë lloj …”! Për një çast nuk i gjen fjalët. “Nuk di si ta quaj ndryshe veçse njerëzim i përbashkët”. /Telegrafi/



