Investimet për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, në fokus të Samitit të Ballkanit
Investimet në infrastrukturën sportive dhe përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030 ishin në fokus të diskutimeve në kuadër të Samitit të Ballkanit, ku u theksua rëndësia e krijimit të një trashëgimie të qëndrueshme sportive për Kosovën.
Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) u përfaqësua në panel nga presidenti Ismet Krasniqi, ndërsa sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, ishte moderator i diskutimit.
Gjatë panelit u theksua se investimet e planifikuara nuk kanë për qëllim vetëm përmbushjen e kërkesave për organizimin e Lojërave Mesdhetare, por edhe krijimin e kushteve moderne dhe afatgjata për sportistët, klubet, federatat dhe komunitetet në mbarë vendin.
Sipas diskutimeve, përgatitjet për këtë ngjarje të rëndësishme sportive paraqesin një mundësi për zhvillimin e sportit në Kosovë dhe ndërtimin e një infrastrukture që do t’u shërbejë edhe gjeneratave të ardhshme.
Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 synojnë të lënë një trashëgimi të qëndrueshme, duke krijuar kushte më të mira për zhvillimin e sportit dhe përmirësimin e infrastrukturës sportive në vend.



