OVL-UÇK kritikon Trendafilovën: Arrogancë t’i mbash leksione Kuvendit për sundimin e ligjit

20 tetor 2026 | 12:47

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka kritikuar kryetaren e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, lidhur me pretendimet e saj për ligjin që rregullon veprimtarinë e kësaj gjykate.

Në një reagim, OVL-UÇK ka vlerësuar se pretendimi se një gjykatë ka të drejtë të zgjedhë ligjin që rregullon veprimtarinë e saj është i papranueshëm, duke theksuar se ligjet në Kosovë miratohen nga Kuvendi.

“Zonja në fjalë duhet të dijë se në Kosovë, ligjet i miraton Kuvendi. Vetë Dhomat e Specializuara ekzistojnë sepse u krijuan nga Kuvendi, andaj ato nuk kanë pushtet mbi institucionin që i themeloi”, thuhet në reagim.

Organizata ka kritikuar gjithashtu atë që e ka cilësuar si arrogancë të Trendafilovës ndaj Kuvendit, duke theksuar se kritikat ndaj vendimeve gjyqësore janë e drejtë legjitime.

“Trendafilova duhet ta dijë se t’i mbash leksione Kuvendit për sundimin e ligjit, përderisa e trajton interpretimin personal si të padiskutueshëm, është arrogancë. Kritika ndaj vendimeve gjyqësore është e drejtë legjitime dhe nuk do të heqim dorë prej saj”, thuhet në reagim.

OVL-UÇK ka theksuar se asnjë vendim gjyqësor nuk mund ta ndryshojë, sipas saj, të vërtetën historike për luftën çlirimtare të Kosovës.

“Lirinë e Kosovës e fituan ata që u ngritën kundër gjenocidit, dhe shtetësia e Kosovës qëndron mbi sakrificën e tyre”, thuhet në reagim.

Në fund, organizata ka kritikuar punën e Dhomave të Specializuara, duke thënë se gjykatat nuk duhet të shndërrohen në institucione që interpretojnë historinë, por duhet ta kryejnë mandatin e tyre me dinjitet dhe profesionalizëm.

“Fatkeqësisht, në rastin e Dhomave të Specializuara kanë munguar që të dyja, edhe dinjiteti, edhe profesionalizmi”, përfundon reagimi i OVL-UÇK-së.

 

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në…