FFK-ja dhe TEB-i vazhdojnë partneritetin
TEB Banka ka rinovuar për edhe një vit marrëveshjen e sponsorizimit me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), ajo u nënshkrua nga drejtori Menaxhues i TEB Bankës, Cihan Yilmaz, dhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi.
Drejtori Menaxhues i TEB Bankës, Cihan Yilmaz, u shpreh se janë krenarë që po e vazhdojmë bashkëpunimin me Federatën e Futbollit të Kosovës edhe për një vit tjetër.
Sipas tij, ky partneritet mbi dhjetëvjeçar është dëshmi e besimit në sportin kosovar dhe në potencialin e jashtëzakonshëm të futbollit të Kosovës. “Si sponsor i Ekipit Kombëtar të Kosovës në futboll, TEB Banka ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë pranë futbollistëve tanë në rrugëtimin e tyre drejt sukseseve të reja. Arritjet e deritanishme na bëjnë krenarë dhe na japin besim se futbolli kosovar do të vazhdojë të shënojë rezultate të rëndësishme në arenën ndërkombëtare. Ne mbetemi të përkushtuar që, përmes investimeve tona në sport, të kontribuojmë në zhvillimin e talenteve të reja dhe në forcimin e krenarisë kombëtare”, ka thënë ai
P
residenti Ademi vlerësoi bashkëpunimin e ndërtuar ndër vite. “Vazhdimi i partneritetit me TEB Bankën është një dëshmi e besimit të ndërsjellë dhe e bashkëpunimit të qëndrueshëm që kemi ndërtuar ndër vite. Për më shumë se një dekadë, TEB Banka ka qenë një partner i rëndësishëm strategjik i Federatës së Futbollit të Kosovës dhe një mbështetës i fuqishëm i futbollit tone, duke qenë pjesë e rrugëtimit të Ekipit Kombëtar, sfidave dhe sukseseve të futbollit Kosovar”, ka thënë ai, duke shtuar se partneritete të tilla afatgjata kanë një rëndësi të veçantë për FFK-në, sepse përtej mbështetjes financiare, ato përfaqësojnë besim në vizionin për zhvillimin e futbollit, fuqizimin dhe krijimin e mundësive të reja për gjeneratat e ardhshme. “Jam i bindur se, me partnerë të dëshmuar si TEB Banka, do të vazhdojmë të ndërtojmë mbi arritjet e deritanishme dhe të synojmë suksese edhe më të mëdha në arenën ndërkombëtare. Falënderojmë TEB Bankën që vazhdon të besojë në futbollin e Kosovës dhe të jetë pjesë e historisë sonë të përbashkët të suksesit”, ka thënë presidenti i FFK-së, Agim Ademi.



