“Ylli i Javës” për futbollistin Rin Ahmeti
Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, vazhdon me ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, i cili i dedikohet futbollistit më të dalluar të çdo xhiroje në Albi Mall Superligë.
Pas ndeshjeve të xhiros së dhjetë, ky çmim i është ndarë futbollistit të FC Prishtina, Rin Ahmeti, i cili ishte vendimtar në fitoren e rëndësishme të skuadrës së tij në udhëtim ndaj FC Ballkanit në Suharekë.
Ahmeti realizoi golin vendimtar të takimit, duke i siguruar FC Prishtinës tri pikë tejet të vlefshme. Me paraqitjen e tij dhe golin e shënuar, ai dha kontribut të jashtëzakonshëm në suksesin e skuadrës kryeqytetase në një përballje të rëndësishme të kampionatit.
Vlerësimi për çmimin “Ylli i Javës” është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit.



