Djali i komandant “Lleshi” të UÇPMB-së, kandidat për kryetar të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi
Subjekti politik Alternativa për Ndryshim ka nominuar Levent Qazimin si bartës të listës dhe kandidat për kryetar të Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH), në kuadër të zgjedhjeve që do të mbahen më 8 nëntor.
Në njoftimin e publikuar, Alternativa për Ndryshim ka vlerësuar përvojën politike dhe institucionale të Qazimit, duke theksuar angazhimin e tij në ruajtjen e trashëgimisë historike dhe patriotike të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Sipas subjektit politik, Qazimi ka bartur përgjegjësi të shumta institucionale, të cilat, siç thuhet në njoftim, i ka përmbushur me përkushtim dhe përgjegjësi të lartë.
Alternativa për Ndryshim e ka cilësuar rikandidimin e tij si mbështetje për një figurë me përvojë të dëshmuar, ndërsa ka rikujtuar edhe atë që e konsideron padrejtësi ndaj Qazimit në zgjedhjet e kaluara për KKSH-në.
Kujtojmë që Levent Qazimi është djali i Ridvan Qazimit, komandant “Lleshi” të UÇPMB-së.



