NËNË SHQIPËRI, PËR TY ËNDËRRUAM, PËR KOSOVËN LUFTUAM, PËR PAQEN TËNDE LUTEMI
Të jesh i frymëzuar nga Shqipëria Nënë dhe ta kesh kaluar tërë jetën duke luftuar për lirinë dhe çlirimin e Kosovës nga Serbia pushtuese, e pastaj të vijë koha të shohësh përplasje mes shqiptarësh në sheshet dhe rrugët e Tiranës, është një dhimbje që vështirë për luftëtarin kombëtar, që nuk shprehet me fjalë!
Për ne, Shqipëria Nëna jonë, ishte shpresë në ditët më të errëta, kur ne ishim të okupuar nga Serbia pushtuese, ishte mbështetje shpirtërore në kohët më të vështira të ekzistencës tonë shekullore dhe ishte besim, sepse lufta jonë dhe përpjekjet e aktiviteti ynë kishte ku të mbështetej!
Emrin e Nënë Shqipërisë e kemi mbajtur në zemër, me dashuri te madhe dhe me krenari absolute, e kemi mbajtur në zemër edhe atëherë kur liria dhe çlirimi i Kosovës dukej ende larg, shumë larg!
Kur mbrojtja e ligjit dhe beteja për pushtet bëhen burim tensioni në rrugë, mendja të shkon te gjithçka që kemi sakrifikuar dhe te përgjegjësia që kemi për ta ruajtur njëri-tjetrin si vëllezër!
Ligji duhet të zbatohet me drejtësi e pa dallim!
E drejta paqësore për të protestuar duhet të respektohet pa diskutim!
Ndërsa gara për pushtet duhet të zhvillohet me përgjegjësi, me argumente dhe me respekt për jetën e dinjitetin e çdo qytetari shqiptar, duke respektuar normat demokratike euroatlantike!
Shqipërinë e kemi dashur të fortë, e kemi dashur të drejtë dhe të bashkuar në çështjet që prekin të ardhmen e saj të lumtur dhe të fortë brenda e jashtë Atdheut!
Kështu vazhdojmë ta duam edhe sot e do ta duam gjithmonë!
Pikërisht kjo dashuri e bën kaq të rëndë çdo pamje përçarjeje e dhune që shohim duke ngjarë në truallin e saj!
Nga Kosova, me zemër të lënduar, dëshiroj që në Tiranë të mbizotërojnë urtësia, vetëpërmbajtja dhe përgjegjësia ndaj vendit!
Asnjë ambicie politike nuk duhet të peshojë më shumë se qetësia dhe siguria kombëtare e shqiptarëve!
Kur tronditet Nëna Shqipëri, dhimbja ndihet thellë edhe në zemrën e Kosovës!
Prishtinë, 20 Tetor 2026!




