Rama: Qeveria do të paguajë 50 për qind të qirasë për studentët që plotësojnë kushtet
Qeveria shqiptare do të mbulojë 50 për qind të qirasë për studentët që plotësojnë kriteret e përcaktuara.
Këtë e ka bërë të ditur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një takimi me drejtuesit e bankave, duke shpjeguar se masa parashihet në draftligjin për strehimin social dhe të përballueshëm.
Nisma synon të lehtësojë barrën financiare të studentëve përballë rritjes së çmimeve të qirave, veçanërisht në Tiranë.
Rama ka thënë se projektligji është hartuar si përgjigje ndaj vështirësive me të cilat përballen studentët për të përballuar kostot e banimit.
“Banka e Shqipërisë nuk është sulmuar as në ’97. Ne do t’i adresojmë problemet duke nxjerrë një për një detyrat. Detyrat për ligjin për strehimin social dhe të përballueshëm, ku do të na duhet edhe bashkëpunimi me ju. Është një ligj i ri që adreson edhe problematikën e studentëve, sepse qysh në programin e Qeverisë dhe një muaj e kusur më parë ne materializuam këtë draft, duke krijuar një qasje krejt të re me rritjen e çmimeve dhe pamundësinë e studentëve për të paguar qiratë në Tiranë, pa ua marrë tërësisht frymën prindërve”, ka deklaruar Rama.
Ai ka bërë të ditur se mbështetja për studentët do të jetë e kushtëzuar nga plotësimi i kritereve përkatëse.
“Qeveria do të futet për të paguar 50 për qind të qirasë për të gjithë ata studentë që i plotësojnë kushtet që janë të lidhura me kriteret. Nga ana tjetër, janë pjesë të tjera të ligjit që lidhen me mbështetjen me kredi me interes zero për çiftet e reja për një apartament deri në një çmim të caktuar, dhe po kështu për profesionistët e rinj”, ka deklaruar Rama, raporton “A2”.



