Besa Ismaili-Ahmeti kritikon pushtetin për abstenimin ndaj protezave për invalidët e luftës
Ish-deputetja e PDK-së, Besa Ismaili-Ahmeti, ka kritikuar pesë deputetët e partisë në pushtet, të cilët, sipas saj, kanë abstenuar në votimin për protezat për invalidët e luftës.
Përmes një postimi në ‘Facebook’, Ismaili-Ahmeti ka thënë se personat që kanë humbur gjymtyrët gjatë luftës meritojnë kujdesin më të madh institucional, duke theksuar se protezat nuk janë luks, por nevojë jetike për lëvizje, pavarësi dhe dinjitet.
Ajo ka ngritur pikëpyetje lidhur me arsyet e abstenimit dhe mesazhin që, sipas saj, ky veprim u dërgon invalidëve të luftës.
“Proteza nuk është luks. Është nevojë jetike për lëvizje, pavarësi dhe dinjitet. Këta njerëz nuk po kërkojnë privilegje. Po kërkojnë që shteti të përmbushë përgjegjësinë ndaj tyre”, ka shkruar ajo.
Në fund të reagimit, Ismaili-Ahmeti ka theksuar se përgjegjësia institucionale duhet të jetë në shërbim të personave që kanë nevojë për mbështetje.
“Turpi nuk u takon atyre që kërkojnë proteza. U takon atyre që kanë pushtetin të ndihmojnë dhe zgjedhin të abstenojnë”, ka shkruar Ismaili-Ahmeti.



