Kancelari gjerman: Nevojitet përparim në dialogun Kosovë-Serbi
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka deklaruar se gjendja aktuale në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po i pengon të gjitha palët, duke bërë thirrje për përgjegjësi dhe përparim.
Merz i ka bërë këto komente në fjalën hyrëse në Samitin e Procesit të Berlinit, që po mbahet sot në Mal të Zi.
“Në vitin 2018, në samitin e Procesit të Berlinit në Londër, ne e hodhëm poshtë bashkërisht përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës. Nëse duam të krijojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë, nuk duhet t’i hedhim benzinë zjarrit, por të ecim përpara mbi bazën e vlerave evropiane. Kjo vlen edhe për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Në gjendjen aktuale, ky proces po i pengon të gjithë. Prandaj, ne bëjmë thirrje urgjente për përgjegjësi dhe përparim”, ka thënë Merz.
Kancelari gjerman, ka theksuar se një Ballkan Perëndimor i qëndrueshëm, paqësor dhe ekonomikisht dinamik është thelbësor për të ardhmen e Bashkimit Evropian, duke riafirmuar mbështetjen e Gjermanisë për rajonin dhe Procesin e Berlinit.
Gjatë fjalimit, Merz është ndalur edhe te rëndësia e vazhdimit të procesit të zgjerimit të BE-së, duke vlerësuar se anëtarësimi është një objektiv realist nëse vendet e rajonit janë të vendosura dhe zbatojnë reformat e nevojshme.
Ai ka theksuar se integrimi gradual në BE duhet të mbetet i bazuar në merita, ndërsa reformat dhe vullneti politik duhet të vijnë nga vetë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Merz ka folur edhe për protestat në rajon dhe në vendet e BE-së, duke theksuar se dhuna nuk duhet të jetë opsion nga asnjëra palë. Ai ka paralajmëruar gjithashtu kundër retorikës përçarëse, polarizimit dhe glorifikimit të kriminelëve të luftës.
Sipas tij, bashkëpunimi rajonal, pajtimi dhe respektimi i vlerave evropiane janë thelbësore për ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt dhe më të begatë.
Kancelari gjerman ka vlerësuar se gjatë 12 vjetëve të Procesit të Berlinit janë arritur rezultate në lëvizjen e lirë të punëtorëve, investime, turizëm, agjendën e gjelbër dhe shërbimet digjitale.
Ai ka përmendur gjithashtu përparimin e procesit të zgjerimit, duke theksuar se Mali i Zi është afër përfundimit të procesit të anëtarësimit.
Merz ka siguruar se Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Procesin e Berlinit dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ndërkohë, pas përfundimit të fjalimit të kancelarit Merz, punimet e Samitit të Procesit të Berlinit po vazhdojnë pa praninë e mediave./RTK



