Albulena Haxhiu: Kuvendit po i rikthehet gjallëria
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se seanca e sotme plenare është karakterizuar nga diskutimet për çështje politike dhe me interes publik, si dhe nga shkëmbimi i pyetjeve dhe përgjigjeve ndërmjet deputetëve dhe kabinetit qeveritar.
Përmes një postimi në “Facebook”, Haxhiu ka theksuar se gjatë seancës janë trajtuar një sërë çështjesh, ndërsa është miratuar edhe formimi i Komisionit Ad Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).
“Kuvendit po i rikthehet gjallëria. Në seancën e sotme u ngritën dhe u sqaruan një sërë çështjesh politike dhe me interes publik, përmes deklarimeve të grupeve parlamentare dhe shkëmbimit të pyetjeve e përgjigjeve mes deputetëve dhe kabinetit qeveritar”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka bërë të ditur se Komisioni Ad Hoc do të merret me përzgjedhjen e kandidatëve për katër pozita në Bordin e RTK-së: dy përfaqësues nga komuniteti shqiptar, një nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet e tjera joshumicë.
Sipas Haxhiut, kompletimi i Bordit të transmetuesit publik është i rëndësishëm, ndërsa Kuvendi do të angazhohet që procesi i përzgjedhjes së kandidatëve të zhvillohet në kohë dhe në mënyrë transparente.
“Gjatë seancës u formua Komisioni Ad Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), për katër pozita, dy për komunitetin shqiptar, një për komunitetin serb dhe një për komunitetet e tjera joshumicë. Si transmetues publik, RTK-ja duhet të ketë një Bord të kompletuar, dhe Kuvendi do të angazhohet që procesi i përzgjedhjes së kandidatëve të zhvillohet me kohë dhe në mënyrë transparente”, ka shkruar ajo.
Kuvendi i Kosovës e ka miratuar formimin e këtij komisioni me 80 vota për, pa asnjë votë kundër dhe pa asnjë abstenim.



