Kurti takohet me ministrin francez për Evropën: Mbështetja e Francës është e rëndësishme për integrimin e Kosovës në BE

22 tetor 2026 | 16:13

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar të enjten në Shën Stefan të Malit të Zi me ministrin e deleguar për Evropën të Francës, Benjamin Haddad, me të cilin ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit bilateral dhe procesin e integrimit evropian të Kosovës.

Përmes një postimi në “Facebook”, Kurti ka bërë të ditur se partneriteti me Francën po sjell rezultate konkrete dhe po krijon mundësi të reja për bashkëpunim në fusha të ndryshme.

“Partneriteti me Francën po sjell rezultate konkrete dhe po hap mundësi të reja për bashkëpunim”, ka shkruar Kurti.

Ai ka rikujtuar se takimi me Haddad vjen pas vizitës së këtij të fundit në Prishtinë, në korrik, dhe në prag të vizitës së planifikuar të Kurtit në Paris, në nëntor, ku do të marrë pjesë në Forumin e Paqes.

Sipas Kurtit, pas nënshkrimit të pesë marrëveshjeve dhe instrumenteve gjatë vizitës së ministrit francez në Kosovë, të dyja palët tashmë janë duke punuar për zbatimin e tyre, me fokus në avancimin e bashkëpunimit në drejtësi, arsim dhe sport.

Kryeministri ka përmendur gjithashtu ratifikimin nga Kuvendi i Kosovës të kredisë prej 60 milionë eurosh për infrastrukturën e Lojërave Mesdhetare 2030, duke e cilësuar atë si një rezultat konkret të partneritetit me Francën.

Gjatë takimit, Kurti dhe Haddad kanë diskutuar edhe për zhvillimet politike në Ballkanin Perëndimor, me theks të veçantë te ndërlidhja ndërmjet paqes, sigurisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Kurti ka theksuar se mbështetja e Francës mbetet e rëndësishme për Kosovën në rrugën drejt integrimit evropian dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.

“Mbështetja e Francës mbetet e rëndësishme për avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Kurti.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka realizuar ushtrimin ndërinstitucional…