Faton Hasani, emër i mundshëm për kryetar të PDK-së
Një figurë e re, me përvojë në strukturat e partisë dhe e pranueshme nga anëtarësia e saj, pritet të jetë në garë për drejtimin e PDK-së.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) mund të drejtohet nga një figurë e re, e cila nuk është pjesë e kryesisë aktuale të partisë. Sipas burimeve të “Epokës së Re”, bëhet fjalë për Faton Hasanin, emri i të cilit pritet të bëhet publik në ditët në vijim.
Sipas këtyre burimeve, Hasani është pjesë e strukturave të PDK-së që nga themelimi i saj dhe konsiderohet figurë e respektuar, me pranueshmëri brenda partisë.
Burimet bëjnë të ditur se ai vjen me një kontribut të çmuar për çështjen kombëtare, ndërsa gjatë karrierës së tij nuk ka ushtruar asnjëherë funksion publik. Ai vjen nga bota e biznesit.
Sipas burimeve të njëjta, Hasani gëzon përkrahje edhe në qarqe politike ndërkombëtare, përfshirë ato në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe Turqi. Megjithatë, këto pretendime nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.
Nëse merr besimin për ta drejtuar PDK-në, një nga sfidat kryesore të tij pritet të jetë sjellja e prurjeve të reja në parti, si dhe hapja e rrugëve për bashkëpunim ndërpartiak, me synimin e avancimit të interesave nacionale.
Emri i Faton Hasanit pritet të qartësohet në ditët në vijim, ndërsa mbetet të shihet nëse ai do të jetë kandidati që do të synojë drejtimin e PDK-së.



