Besa Ismaili-Ahmeti: Kthimi i projektligjit për Specialen është mundësi për ta përmirësuar
Ish-deputetja Besa Ismaili-Ahmeti ka reaguar lidhur me kthimin e projektligjit për Dhomat e Specializuara në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se ky veprim duhet të shihet si mundësi për përmirësimin e tij dhe jo si arsye për ta zhvlerësuar.
Përmes një postimi në ‘Facebook’, Ismaili-Ahmeti ka theksuar se, për një çështje me rëndësi të tillë, është e domosdoshme që çdo vërejtje të trajtohet dhe çdo mangësi e mundshme të korrigjohet.
“Cilësia e një ligji nuk matet me a kthehet në Kuvend apo jo, por me qëndrueshmërinë dhe efektin e tij”, ka shkruar ajo.
Sipas Ismaili-Ahmetit, përgjegjësia politike kërkon hartimin e një ligji sa më të mirë, ndërsa ndikimet e tij mbeten edhe pasi të kalojnë reagimet e momentit.
“Reagimet kalojnë shpejt, por ndikimet e ligjit mbeten”, ka përfunduar ajo.



