Licencimi i bizneseve dhe mbrojtja e konsumatorëve, në fokus të rregullimit të tregut të naftës
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Departamentit për Rregullimin e Tregut të Naftës (DRTN), administron procesin e licencimit të bizneseve që ushtrojnë veprimtari me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme, me synim zbatimin e kërkesave ligjore, rritjen e sigurisë dhe mbrojtjen e konsumatorëve.
Aktualisht, në Kosovë janë të pajisura me leje rreth 560 subjekte ekonomike. Ato posedojnë rreth 750 leje për shitjen me pakicë të dizelit dhe benzinës, si dhe rreth 750 leje për veprimtari të tjera me produkte të naftës. Lejet lëshohen për një periudhë gjashtëvjeçare, ndërsa para skadimit të tyre, bizneset duhet të aplikojnë për vazhdim dhe të dëshmojnë se vazhdojnë t’i përmbushin kushtet e përcaktuara me ligj.
Për t’u pajisur me leje, bizneset duhet të jenë të regjistruara dhe të plotësojnë kriteret ligjore e teknike, përfshirë kërkesat për objektet, pajisjet dhe dokumentacionin përkatës. Kushtet ndryshojnë varësisht nga lloji i veprimtarisë për të cilën kërkohet leja. Formularët dhe informatat për aplikim janë në dispozicion në faqen zyrtare të MINTI-t: https://mint.rks-gov.net/page.aspx?id=1,150.
Në bashkëpunim me institucionet përkatëse, DRTN-ja trajton edhe çështjet që lidhen me cilësinë e produkteve të naftës dhe karburanteve të ripërtërishme, si dhe propozon masa për të siguruar furnizim të qëndrueshëm në treg.
Përmes këtyre përgjegjësive, MINTI synon të kontribuojë në një treg më transparent dhe konkurrues, ku bizneset veprojnë në përputhje me kërkesat ligjore dhe konsumatorët përfitojnë nga produkte cilësore e të sigurta.



