Mediet pro regjimit tentojnë ta injorojnë humbjen e Vuçiqit në zgjedhje

26 tetor 2026 | 08:24

Fitorja e Listës së Studentëve dhe humbja e Aleksandar Vuçiqit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi janë pasqyruar në mënyra krejtësisht të ndryshme nga gazetat e vendit, mëngjesin pas zgjedhjeve.

Ndërsa disa media flasin për fundin e epokës së Vuçiqit, tabloidet pranë pushtetit përpiqen ta zhvendosin vëmendjen nga rezultati zgjedhor, duke i kushtuar hapësirë sulmeve ndaj kundërshtarëve dhe pretendimeve për një fushatë kundër presidentit serb, raporton Klix.

Gazeta Danas e ka hapur ballinën me titullin “Studentët fituan, fundi i epokës së Vuçiqit”, duke iu referuar rezultatit që i jep Listës së Studentëve 53.5 për qind të votave, kundrejt 39.1 për qind për Partinë Përparimtare Serbe (SNS).

Sipas projeksionit të publikuar nga gazeta, bazuar në të dhënat e përpunuara nga Ipsos dhe CeSID, Lista e Studentëve pritet të sigurojë 140 ulëse në Kuvend, ndërsa lista e udhëhequr nga Vuçiqi 103. Danas raporton gjithashtu se pas pranimit të humbjes nga presidenti serb, qytetarët kanë nisur festimet në rrugë dhe se është larguar edhe “Ćacilend”, kampi i ngritur nga përkrahësit e pushtetit.

Në anën tjetër, gazetat Alo dhe Srpski telegraf, të njohura për qëndrimet e tyre proqeveritare, kanë zgjedhur t’i kushtojnë vëmendje kryesore pretendimeve për një sulm ndaj nënës së Vuçiqit, Angelinës.

Alo ka dalë me titullin “Bllokuesit sulmuan nënën e Vuçiqit!”, duke pretenduar se asaj i ishte prerë dora dhe i ishin marrë produktet ushqimore gjatë kthimit nga tregu. Sipas gazetës, i dyshuari për sulmin është arrestuar. I njëjti pretendim është vendosur edhe në ballinën e Večernje novosti.

Ndërkohë, Srpski telegraf e ka vendosur në ballinë deklaratën e Vuçiqit: “I humbëm zgjedhjet, por ende do të luftojmë!”, duke e shoqëruar me mbishkrimin se presidenti serb “dha një leksion demokracie”.

Gazeta Politika, në dallim nga tabloidet, ka raportuar se Vuçiqi e pranoi humbjen dhe ishte i pari që uroi Listën e Studentëve. Ajo ka publikuar gjithashtu projeksionet e mandateve, sipas të cilave Lista e Studentëve siguron 140 ulëse, ndërsa lista e udhëhequr nga Vuçiqi 103.

Ndërkaq, Večernje novosti i kanë kushtuar hapësirën kryesore pjesëmarrjes së lartë në zgjedhje, me titullin “Serbia doli masivisht për të votuar”. Në një pjesë tjetër të ballinës, gazeta ka publikuar pretendime për një “fushatë të pistë kundër Vuçiqit dhe shtetit tonë”, duke përmendur edhe Zagrebin, Sarajevën dhe Podgoricën.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet sot, më…