Demokratët akuzojnë Trumpin për përfshirje në abuzimet e Epsteinit, kërkojnë hetim të pavarur
Demokratët në Komitetin për Drejtësi të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan kanë publikuar një raport prej 52 faqesh, në të cilin pretendojnë se presidenti Donald Trump ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në abuzimin e vajzave në rrethin e Jeffrey Epstein.
Në raport, demokratët akuzojnë gjithashtu Departamentin e Drejtësisë së SHBA-së se për vite me radhë ka fshehur prova dhe dokumente të rëndësishme nga publiku dhe Kongresi.
Dokumenti, i titulluar “Disa gjëra i kemi të përbashkëta, Jeffrey…”, shqyrton deklaratat e 11 grave, pesë prej të cilave e akuzojnë drejtpërdrejt Trumpin për shkelje të rënda seksuale në praninë e Epstein ose në rrethin e tij.
Megjithëse këto pretendime nuk kanë çuar në procedura penale kundër Trumpit, demokratët në Kongres kanë kërkuar emërimin e një prokurori të posaçëm të pavarur për të hetuar lidhjet e presidentit amerikan me Epstein, personat e tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë dhe rolin e institucioneve të drejtësisë në fshehjen e dokumenteve.
Pretendimi për përdhunim në një hotel në Nju-Jork
Ndër pretendimet më të rënda të përfshira në raport është dëshmia e Beatrice Keul, ish-konkurrente zvicerane në garat e bukurisë, e cila pretendon se Trump e ka përdhunuar me forcë në nëntor të vitit 1993, në një apartament të hotelit “Plaza” në Nju Jork, gjatë garës “American Dream”.
Sipas dëshmisë së saj, Epstein i ishte afruar më herët gjatë asaj dite dhe ishte prezantuar si “miku më i mirë i Donit”.
Keul pretendon se pas sulmit, Trump e kishte lënë me mavijosje dhe gjakderdhje, ndërsa i kishte ofruar vizë amerikane dhe regjistrim në Universitetin e Nju Jorkut (NYU), duke i thënë se “shfaqja duhet të vazhdojë”.
Raporti vëren se Keul më herët e kishte përshkruar ngjarjen si një tentativë përdhunimi që kishte arritur ta parandalonte, por nuk jep shpjegime për arsyet e ndryshimit të deklaratës së saj.
Në raport thuhet gjithashtu se dosjet e brendshme të FBI-së i lidhin Trumpin dhe Epstein me kategorinë e shfrytëzimit të të miturve, në kuadër të një hetimi të vitit 2007. Sipas demokratëve, sinjalizuesit kanë pretenduar se disa prej këtyre dokumenteve u janë mohuar në mënyrë të paligjshme hetuesve.
Demokratët përmendin edhe marrjen në pyetje të Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtores së Epstein, nga zëvendësprokurori i atëhershëm i përgjithshëm, Todd Blanche, në vitin 2025. Sipas raportit, Blanche e kishte devijuar tri herë bisedën kur ishte përmendur një viktimë e identifikuar me pseudonimin “Jane”.
Epstein dyshohet se e kishte dërguar këtë vajzë te Trumpi në pronën e tij Mar-a-Lago, kur ajo ishte vetëm 14 vjeçe.
Pretendimet për dëbimin e Epstein nga Mar-a-Lago dhe njohjen me Melanian
Raporti vë në pikëpyetje edhe deklaratën e kahershme të Trumpit se e kishte përjashtuar Epstein nga klubi i tij në Florida, sepse e konsideronte “të neveritshëm”.
Duke iu referuar një dokumenti të censuruar më parë, të vitit 2009, demokratët thonë se Trumpi kishte deklaruar se Epsteinit nuk i ishte kërkuar asnjëherë të largohej nga klubi. Këtë version, sipas raportit, e kishte konfirmuar edhe menaxheri i atëhershëm i Mar-a-Lago-s.
Një tjetër pretendim i përfshirë në dokument lidhet me njohjen e Trumpit me bashkëshorten e tij, Melania Trump.
Sipas shënimeve nga një intervistë e FBI-së me një ish-asistente të Epstein, ishte pikërisht ky i fundit që e kishte prezantuar Melanian me Trumpin.
Ky pretendim bie ndesh me versionin zyrtar, sipas të cilit çifti ishte njohur përmes agjentit të modës Paolo Zampolli, një version që edhe Melania Trump e kishte deklaruar publikisht.
Raporti përmend gjithashtu dëshminë e një modeleje, të identifikuar me pseudonimin Kate, e cila tha se Maxwell e kishte prezantuar me Trumpin në një festë në Nju Jork dhe kishte organizuar një takim mes tyre. Më pas, sipas saj, ata kishin udhëtuar së bashku me avion privat drejt Floridës.
Kjo dëshmitare nuk e ka akuzuar Trumpin për sjellje të papërshtatshme. Megjithatë, sipas të dhënave zyrtare të përmendura në raport, Trumpi kishte udhëtuar të paktën tetë herë me avionin e Epstein, gjatë periudhës 1993–1996.
Shtëpia e Bardhë i hedh poshtë akuzat
Shtëpia e Bardhë i ka kundërshtuar ashpër pretendimet e përfshira në raport, duke deklaruar se asnjëra prej tyre nuk është e vërtetë.
“Kjo ‘raport’ nuk është asgjë tjetër veçse një përpjekje e dëshpëruar e demokratëve të çorientuar për të larguar vëmendjen e amerikanëve nga vrulli në rritje i republikanëve, i nxitur nga arritjet historike të presidentit Trump”, deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Lauren Bis.
Ajo përsëriti pretendimin se Trumpi e kishte përjashtuar Epstein nga klubi i tij në Florida për shkak të sjelljes së tij të neveritshme dhe se presidenti ishte plotësisht i liruar nga çdo përgjegjësi që lidhej me të.
Deri më tani nuk ka prova të mjaftueshme për procedim penal ndaj Trumpit
Publikimi i raportit vjen në kohën kur në Shtetet e Bashkuara po zhvillohet fushata zgjedhore për Kongresin. Demokratët i kanë kthyer lidhjet me Epstein në një prej temave kryesore të betejës së tyre politike, duke investuar më shumë se 36 milionë dollarë në reklama televizive dhe digjitale.
Epstein, i dënuar për vepra penale seksuale, abuzoi me shumë viktima dhe vdiq në burg në vitin 2019, në një rast të cilësuar zyrtarisht si vetëvrasje.
Sipas raportit, rishikimi i kryer nga FBI-ja dhe Departamenti i Drejtësisë ka konfirmuar se Epstein kishte abuzuar me më shumë se një mijë viktima.
Megjithatë, hetimet zyrtare deri më tani nuk kanë gjetur prova për ekzistencën e një liste inkriminuese të klientëve të Epstein dhe as elemente të mjaftueshme për të nisur procedurë penale kundër Trumpit.
Pretendimet e përfshira në raport mbeten akuza që kërkojnë verifikim dhe nuk përbëjnë, në vetvete, dëshmi të provuara të fajësisë së presidentit amerikan.



