SI U SHPËRBË LIDHJA E SHKRIMTARËVE TË JUGOSLLAVISË
Shkruan: Milazim KRASNIQI
Në kongresin e fundit të shkrimtarëve në Gjevgjeli të Maqedonisë, qëndrimi ynë i palëkundur u bë strumbullari rreth të cilit u krijua fronti i refuzimit të shkrimtarëve sllovenë, kroatë e boshnjakë ndaj nacionalizmit serbomadh. Por, provokimi serbëve qe i rëndë, monstruoz. Në ditën e fundit të punimeve të Kongresit, në seancën e fundit, ata bënë një inskenim të turpshëm, të cilin vetëm njerëzit e verbuar nga urrejtja mund ta bëjnë. Ishte një inskenim tipik fashist. Një inskenim me të vdekur, ngjashëm me të vdekurit që i përdorte Hitleri për të ngritur emocionet irracionale dhe kriminale të ithtarëve të vet kundër vrasësve të shenjtorëve të nazizmit. Për ndryshim nga Hitleri, që përdorte figurat e militantëve nazistë të vrarë në një protestë, serbët përdorën në atë kongres kufomat e dy fëmijëve të vdekur në fshatin Gracë të Kosovës, të cilët, nëse kanë ekzistuar vërtet, kishin vdekur nga sëmundja. Shkrimtarët serbë sollën në seancën e fundit të kongresit një letër të gjoja shkrimtarëve serbë të Kosovës, të cilët kishin shkruar se nuk kishin mundur të vinin në Kongresin e Gjevgjelisë, ngase ishin të mërzitur me veprimet barbare të shqiptarëve, të cilët i paskëshin nxjerrë nga varrezat trupat e dy fëmijëve dhe gjoja i kishin përdhosur ata trupa të pajetë të dy fëmijëve serbë. Ata kërkonin nga Kongresi i Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë dënimin e kësaj ngjarjeje dhe kërkonin të bëhej presion për marrjen e masave kundër shqiptarëve. Letrën e lexoi Adam Pusllojiqi, nënkryetari i LSHJ-së. Mbaj mend se sapo ai e mbylli leximin e letrës, dëgjova të qara e klithma grash në sallë, që kishin filluar të qanin me dënesë. Menjëherë e kuptova se ishim në kurth dhe se do ta kishim një ditë të tmerrshme në atë sallë, e cila m’u duk se filloi të zvogëlohej nga presioni. Pas leximit të letrës, kryesuesi, Sllobadan Seleniqi, i cili sapo ishte zgjedhur kryetar i LSHJ- së, e hapi diskutimin lidhur me atë letër dhe përmbajtjen e saj. Filluan të defilonin disa shkrimtarë serbë që shprehnin indinjatë e mllef dhe që kërkonin të merreshin masa ndaj “terroristëve shqiptarë”. (Nga presioni i madh i ngjarjes, nuk kam arritur të mbajë shënime për ato diskutime, por ato ngjarje më kanë mbetur të gravura në kujtesë). Pas disa folësve serbë, dola në foltore dhe shpreha mendimin se ishte fjala për një inskenim dhe se kjo nuk kishte të bënte asgjë me punimet e Kongresit. Por, uragani i diskutimeve antishqiptare nuk mund të ndalej më. Doli në foltore Bajram Krasniqi dhe pati një diskutim shumë përmbajtjesor, duke refuzuar këtë formë të presioneve e të shantazheve. Bajrami u tregua shumë guximtar dhe me siguri kjo më trimëroi edhe mua. Në delegacionin tonë ishin edhe Ajri Begu, i cili doli e foli diçka me tone shumë pajtuese, duke iu referuar jugosllavizmit si një instancë në të cilën mund të gjendej akordi mes kombeve e kombësive e gjëra të ngjashme. Ndërsa, Enver Gjerqeku, që ishte po ashtu pjesë e delegacionit tonë dhe shkrimtari më i vjetër, nuk donte të merrte pjesë në diskutim. E nxita disa herë, por ai nuk donte. Ishte anëtar i Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë dhe kishte zgjedhur të sillej në lartësinë e funksionit të vet, duke mbajtur distancë nga të gjithë dhe nga të gjitha ato që po ndodhnin në atë sallë. Ibrahimi nuk ishte në sallë. Ai ishte në komisionin statutar, i cili po i hartonte konkluzionet e Kongresit dhe nuk dinte as se çfarë po ndodhte në sallë. Nuk kisha kohë që të shkoja e ta thërrisja, ose ta konsultoja. Më ra të diskutoja tre-katër herë, duke bërë polemika me secilin shkrimtarë serbë e malazez, që dilte në atë foltore. As sot nuk arrij ta kuptoj atë gjendje në të cilën kam qenë në ato momente, një instinkt i vetëmbrojtjes nga sulme të çakërdisura, më mbante në gjendje transi. Kisha shumë urrejtje në ato çaste për ata njerëz të ligj, që po gënjenin, po shpifnin, po kërkonin të zhbënin popullin tim. Besoj se më ishte errësuar arsyeja jashtë mase, sa nuk po mendoja më asgjë tjetër veç atij konfrontimi në atë sallë, veç shprehjes së asaj urrejtjeje ndaj tyre në atë sallë. Në paraqitjen time të fundit, në fjalën në foltore (të cilën Seleniqi ma ndërpreu dhe në fakt ashtu i ndërpreu edhe punimet e Kongresit, duke thënë se konkluzionet do t’i dërgoheshin secilës shoqatë për miratim më vonë!) thashë se shkrimtarët serbë të Serbisë duhej të turpëroheshin nga fakti se dy ditë më parë në Leskoc një person ishte lyer me benzinë e i kishte vënë flakën vetes në parkun e qytetit, si reagim ndaj varfërisë e mjerimit që kishte pllakosur Serbinë. Pas këtyre fjalëve, Seleniqi ma ndërpreu fjalën dhe shpalli përfundimin e punimeve të Kongresit, praktikisht pa i miratuar konkluzionet e pa e përfunduar kongresin në mënyrë të rregullt. Thjesht, Kongresi u ndërpre duke qenë unë njeriu i fundit që diskutova dhe që m’u ndërpre fjala, për ta mbyllur disi kongresin. Në ato çaste ishte vërtet shumë dramatike. Tash e kuptoj që ka qenë edhe simbolike. Ishte simbolike që një shqiptar bllokoi një kongres gjigant të shkrimtarëve jugosllavë, më saktë të bllokut serbë të atyre shkrimtarëve që mendonin se ishin të fortë që të krijonin Serbinë e Madhe. Deri sa po dilnim nga salla, Adam Pusllojiqi po bërtiste si i çmendur ndaj meje dhe bëri përpjekje të më godiste, po për fat në mes nesh qëlluan disa shkrimtarë sllovenë e kroatë, (mbaj mend se ishte Nedelko Fabrio më afër meje) dhe ata e ndalën. Ai ishte një fund i turpshëm i një kongresi të turpshëm, të cilin e turpëroi nacionalizmi i pafre serbomadh.
Disa kohë pas mbylljes së atij Kongresi, ne ia dërguam një letër Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë, ku e njoftonim se më nuk do të paguanim kuotizimin për anëtarësi në atë asociacion, meqë ai asociacion nuk e mbronte subjektivitetin tonë, sepse ishte vënë në shërbim të nacionalizmit serb. Dy ditë pas letrës sonë, letër me përmbajtje të njëjtë i dërguan LSHJ-së edhe Shoqata e Shkrimtarëve Sllovenë e më vonë edhe Shoqata e Shkrimtarëve Kroatë, me çka praktikisht pushoi së ekzistuari Lidhja e Shkrimtarëve të Jugosllavisë.
Nacionalizmi serbomadh i ideuar dhe i ekzekutuar nga shkrimtarët nacionalistë serbë, për të parën herë i theu dhëmbët e vet në konfrontim me Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës. Vetëpërmbajtja dhe gjakftohtësia e Ibrahimit them se ka qenë shumë e rëndësishme në ato zhvillime, edhe pse në atë kohë shumë herë jam nervozuar me sjelljen e tij të ngadaltë dhe me veprimin flegmatik. Por, lojalitetin nuk e kam pasur të lëkundur asnjëherë. Jam ndier pjesë e asaj vendimmarrjeje, e asaj lufte dhe jam munduar të jap maksimumin për të realizuar qëllimet tona, shpesh herë duke e minimizuar edhe rrezikun real. Në fakt, kishte vite që isha përgatitur për beteja kundër nacionalizmit serb dhe jugosllavizmit si ideologji antishqipare. Isha përgatitur me studimet e mia në fushën e albanologjisë, në të cilat identiteti nacional shqiptar dhe vlerat nacionale shqiptare ishin të mbitheksuara në vitet shtatëdhjetë, kur isha student. Por, përgatitjen time vendimtare kundër nacionalizmit serb dhe jugosllavizmit e mora gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak (prill 1982-mars 1983). Atje isha bindur përfundimisht se ne shqiptarët ishim trup i huaj në atë shtet, se serbët, po edhe të tjerët, na trajtonin me dyshim e përçmim, se ne nuk kishim asnjë të ardhme në atë shtet. Isha i bindur dhe i motivuar që të bëja ç’ishte e mundshme për denoncimin e atij shteti dhe të asaj ideologjie, gjë që lehtësisht mund të identifikohet edhe në librat me poezi që kam shkruar pas vitit 1983. Angazhimi në kryesinë e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës nga viti 1986 dhe prej vitit 1988 si sekretar i saj, për mua ishte një rast shumë i volitshëm, që bindjet e mia antiserbe e antijugosllave t’i paketoja si angazhim intelektual. Pra, definitivisht, përvoja e keqe në shërbimin ushtarak, për mua ka qenë momenti vendimtar për t’u bindur se duhej të refuzohej ai projekt shtetëror dhe ajo ideologji antishqiptare. Natyrisht, studimet në fushë e albanologjisë dhe ngjarjet tronditëse të vitit 1981 më kishin përgatitur intelektualisht e psikologjikisht për këtë kapërcim. Kapërcimi im nuk ishte aspak revolucionar, por ishte gradual, i planifikuar dhe i paketuar brenda angazhimit institucional. Jo vetëm në atë periudhë, por as më vonë, unë nuk kam dashur të luajë rolin e ndonjë trimi, ndonjë heroi, ndonjë revolucionari. Por, bindjet e mia i kam ndjekur me vendosmëri, natyrisht duke pasur para sysh realitetin e jo duke i rënë murit me kokë. Për këtë arsye jam futur më aktivisht në jetën publike, në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës dhe në revistën “Fjala”, prej viteve 1986-1987, kur faktikisht filloi një kundërvënie edhe institucionale ndaj nacionalizmit serb, i cili me ardhjen e Millosheviqit në pushtet në Serbi, u bë edhe më virulent. (Fragment nga libri “Sekretet që nuk i mori me vete Ibrahim Rugova”, PEN, Prishtinë.)



