Ymeri: Protestat janë reagim ndaj dështimit ekonomik dhe propagandës së qeverisë

01 nëntor 2026 | 13:51

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka reaguar përmes një postimi lidhur me protestën e sotme, duke vlerësuar se ajo është e para që adreson drejtpërdrejt shkakun kryesor të problemeve në vend, gjendjen e rëndë ekonomike.

Ymeri ka theksuar se protestat nuk duhet të shihen si kuti votimi, ku numërohen pjesëmarrësit, por si shprehje e pakënaqësisë qytetare ndaj qeverisjes.

Ajo ka kritikuar qeverinë për propagandë dhe për mungesën e besimit që, sipas saj, ka krijuar te qytetarët. Në këtë kontekst, ka përmendur edhe ndërhyrjen në krijimtarinë artistike dhe premtimet për investime, ndërkohë që, siç është shprehur, nuk respektohen as bujqit.

Deputetja e LDK-së ka deklaruar se mbështet protestat paqësore, pa paragjykuar apo vlerësuar organizatorët e tyre. Ajo ka shprehur bindjen se protestat do ta arrijnë efektin e tyre kur qytetarët të jenë të gatshëm për t’i dhënë fund, siç e ka cilësuar ajo, diktatit në rritje.

Në reagimin e saj, Ymeri ka përmendur edhe rastet e vdekjeve që ia atribuon papërgjegjësisë së Qeverisë, si dhe paralajmërimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Në fund, ajo ka shprehur bindjen se largimi i pushtetit aktual është i pashmangshëm, duke theksuar se kjo do të ndodhë falë vullnetit të qytetarëve që dëshirojnë një Kosovë më të zhvilluar dhe me kushte më të mira jetese.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Edon Zhegrova mund të luajë sot (e diel) ndeshjen e…