Veprimtarët Kadriaj dhe Beqiri vizitojnë Jakup Krasniqin në Hagë: Ata e bënë historinë, ne kemi detyrimin të mos i lëmë vetëm!
Veprimtarët e çështjes kombëtare, të cilët jetojnë dhe veprojnë në diasporë, Shaip Kadriaj dhe Bujar Beqiri, kanë vizituar Jakup Krasniqin në Hagë.
Lajmin e ka bërë të ditur Shaip Kadriaj përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetet sociale, ku ka ndarë edhe mesazhin e tij pas vizitës.
Kadriaj ka theksuar se ata që kontribuuan për lirinë e vendit përbëjnë vetë historinë, e cila, sipas tij, nuk mund të rishkruhet. Ai ka bërë thirrje që të mos harrohet sakrifica e tyre dhe që institucionet e qytetarët të tregojnë kujdes e përkushtim ndaj tyre.
“Sot, që nga mëngjesi, në vizitë te baca Jakup!
Ata janë vetë historia që nuk mund të rishkruhet!
Por ne duhet ta pyesim veten: A kemi bërë diçka për ta dhe çfarë po bëjmë sot, si shtet e si popull, për ta?
Ata dhanë gjithçka për lirinë tonë. Ishin të gatshëm të jepnin edhe jetën, por fati nuk e deshi që të bëheshin dëshmorë.
E megjithatë, edhe sot vazhdojnë ta paguajnë çmimin e lirisë që ne e gëzojmë!
Ata e bënë historinë, ndërsa ne kemi detyrimin të mos i harrojmë dhe të mos i lëmë vetëm!”, ka shkruar Kadriaj.




