Vendimi që Flora Brovina të ishte laureatja e 12-të e këtij çmimi u mor në fillim të vitit, ndërsa çmimi iu dorëzua dje, në Mërditë, djalit të saj, Ylli Begaj. Me këtë rast, u promovua edhe përmbledhja e saj poetike në gjuhën malazeze, “Pas frymës FJALA…”, si dhe antologjia “Muzat e Alpeve / Çmimi TEUTA (2019–2022)”. Aktivitetet vijuan në Deçan, me mbrëmjen poetike “TEUTA”, kushtuar Florës.
Mirdita e kulturës, traditës, burrërisë, besës, rezistencës dhe e dinjitetit kombëtar, Shoqatën Rajonale të Shkrimtarëve “TEUTA”. E priti në Rubikun e monumenteve të lashta kulturore e historike, në gjirin e të cilit shkrimtarë shqiptarë dhe malazezë nga Kosova, Mali i Zi dhe Shqipëria, realizuan edicionin e 12-të të Manifestimit Letrar Trekufitar, “Muzat e Alpeve”. Në këtë djep të mendjeve krijuese, që i dhanë emër kësaj treve e kombit mbarë, si dhe në vendin e qëndresës kombëtare të burgut të Spaçit, mes emocioneve të veçanta të të pranishmëve si dhe në praninë e familjarëve të saj u nderua njëra ndër figurat më emblematike të kulturës, shoqërisë dhe rezistencës kombëtare shqiptare, dr. Flora Brovina. Sepse, kultura asnjëherë nuk mund të jetë një ishull i shkëputur nga zhvillimet në shoqëri, tha në hapje të manifestimit shkrimtarja dhe gazetarja Ajetë Sh. Beqiraj, kryetare e kësaj shoqate.
Beqiraj: “Kultura s’mund të jetë ishull i shkëputur nga zhvillimet në shoqëri”
“Ndaj, nga kjo trevë me histori e qëndresë, Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve ‘TEUTA’ mbështet çdo zë që ngrihet për barazi, liri dhe një jetë të dinjitetshme, kundër diskriminimit, shtypjes dhe çdo force që cenon të ardhmen e kombit, integritetin e vendit, pronën dhe dinjitetin e qytetarit. Sepse qëndresa nuk është vetëm kujtim i së kaluarës, por përgjegjësi për të ardhmen tonë!”, tha Beqiraj në hapje të manifestimit.
Shoqata “TEUTA” deri më tani ka përshkuar, me veprimtarinë e saj, 25 qytete të Kosovës, Malit të Zi dhe Shqipërisë. Ndërsa, realizimin e edicionit të 12-të në Mirditë e mundësuan Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, Komuna e Deçanit dhe Bashkia e Mirditë.
Melyshi: “Mbështetja e kulturës detyrim që Mirdita e meriton”
Kryetari i Bashkisë së Mirditës, Albert Melyshi ndër të tjera theksoi se bashkëpunimi dhe mbështetja institucionale për veprimtari të tilla kulturore janë detyrim, por edhe nder për institucionet vendore. “Ju falënderoj që keni zgjedhur Mirditën për t’u takuar, për të kujtuar, diskutuar dhe ndarë momente të veçanta mes krijuesve. Më vjen mirë që jeni këtu dhe ju siguroj se do ta keni gjithmonë mbështetjen e Bashkisë dhe të institucioneve tona. Aktivitete të tilla e pasurojnë jetën kulturore e artistike dhe i japin gjallëri jetës letrare, të cilën Mirdita e ka të domosdoshme dhe e meriton”, u shpreh Melyshi.
Dedaj: “Ndër traditat mirditore “poeteshat e vajit”
Shkrimtari, publicisti dhe studiuesi, profesor Ndue Dedaj, solli në vëmendje të të pranishmëve traditën e shkëlqyer rapsodike dhe atë të poetëve popullorë. “Sidomos, një traditë ë veçantë që lidhet me poeteshat e vajit, apo vajtimoret, siç i quajmë ne. Ndërsa, Rubiku dhe Mirdita kanë nxjerrë një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë shqiptare, Abat Preng Doçin, i cili ka lindur në këtë vend dhe ka qenë edhe kryetar i Shoqërisë Letrare Gjuhësore ‘Bashkimi’ në Shkodër, ku ishin të pranishëm shkrimtarë si Gjergj Fishta apo Shtjefën Gjeçovi, të cilët kanë shërbyer edhe si misionarë në kuvendin françeskan të Rubikut.”
Studiuesi Vlashi: “Në Mirditë u vendosën themelet e shtetformimit”
Përderisa, historiani dhe situdiuesi Julian Vlashi, drejtor i Trashëgimisë Kulturore dhe Turizmit në Bashkinë Mirditë, solli në vëmendje se gjendemi në rrënjët e fisit ilir të Pirustëve, i njohur në kohën antike për zejen e metalpunimit, për përpunimin e mineraleve, si dhe për karakterin e luftarak dhe qëndrestar, gjurmët e të cilëve i hasim në disa zona të Mirditës. “Edhe në periudhën mesjetare, në këtë territor u hodhën themelet e shtetformimit, në Principatën e Arbërit, e cila, siç kanë theksuar një sërë studiuesish dhe njohësish të historisë arbërore, në fund të shekullit XII dhe në fillim të shekullit XIII, e kishte qendrën në Ndërfanë, ku u ndërtua edhe bazilika e Shna Premtes, sipas testamentit të Priftit të Arbërit…”- shtoi Vlashi.

Rudolf Marku: “Antologjitë e “Teutës” libra me shije të përkorë”
Video-rezymeja e veprimtarisë së “Teutës” solli sekuenca nga ndarja e Çmimit për Vepër Jetësore “TEUTA” 11-të laureatëve të saj, për të vijuar me promovimin e antologjisë së dytë të “TEUTËS”, e cila përmbledh fragmente dhe poezi nga krijimtaria e pesë laureatëve më të fundit: Nazmi Rrahmani, Zuvdija Hoxhiq Berisha, Xhevahir Spahiu, Rexhep Qosja dhe Zija Çela. Shkrimtari i shquar Rudolf Marku në parathënjen e librit shkruan se: ‘Antologjitë që vinë çdo pesë vjet, me krijimtarinë e laureatëve të Çmimit për Vepër Jetësore “Teuta”, janë libra me një shije të përkorë estetike, ku takohen emra dhe vepra ndër më të spikaturat e letërsisë shqipe dhe malazeze. Ato nuk janë vetëm një përmbledhje e veprave të nderuara me çmim; janë dëshmi e një udhëtimi të përbashkët kulturor, një kujtesë e shkruar e asaj që letërsia mund të bëjë atëherë kur kufijtë gjeografikë nuk bëhen kufij shpirtërorë. Se janë pikërisht këto faqe që mbesin dëshmi e këtij udhëtimi. Ato dëshmojnë se popujt mund të kenë histori, gjuhë dhe kujtime të ndryshme, por mund të ndajnë të njëjtën dritë të artit. Dhe kjo dritë, kur ruhet e përcillet nga brezi në brez, nuk njeh as kohë, as kufij – shkruan Rudolf Marku në parathënjen e librit.
Martinoviq: “TEUTA” dhe “Muzat e Alpeve”, një qëndismë e bukur pas kohëve të trazuara…”
Përderisa, gazetar dhe shkrimtari Mirash Martnoviq, redaktor në gjuhën malazeze vlerëson se: “Në historinë e dy popujve tanë malazez dhe shqiptar, Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve “Teuta“ dhe karvani i saj “Muzat e Alpeve” do të mbetet një gjurmë e qendisur bukur pas kohëve të trazuara… Sepse, ky karvan ngarkuar me librat, poezinë dhe fjalën e bukur udhëtoi e zbarkoi nëpër 25 qytete të Kosovës, Malit të Zi dhe të Shqipërisë, duke lënë shembullin më të mirë të njohjes dhe të këmbimit kulturor ndërmjet popujve”.
Kaleziq-Radonjiq: “Me fjalën e shkruar po kapërcejmë barrierat gjuhësore”
Ndërsa, me përmbledhjen poeike të dr.Flora Brovinës “Pas frymës FJALA…” (“Poslije daha RIJEČ…”) përkthyer nga Qazim Muja, “Teuta” serish kapërcen kufijtë gjuhësorë dhe u drejtohet lexuesve si një dëshmi se fjala e shkruar mund të mbijetojë përtej kohës, heshtjes dhe mungesës fizike të autorit. “Leximi i poezisë së Florës më zbuloi një botë të re. Ajo është poezia e vuajtjes dhe e rezistencës. Njëra i kushtohet natyrës, trupit dhe dashurisë, kurse tjetra lirisë, qëndresës kombëtare dhe dinjitetit njerëzor. Gjatë leximit të këtij cikli poetik kam vërejtur sa shumë të përbashkëta kemi me Florën. Ndonëse njiheshim pak, përmes këtij libri të mrekullueshëm jemi afruar dhe jemi njohur në një dimension tjetër, atë të shpirtit dhe të poezisë. Mirënjohje talentit të Florës, dinjitetit të saj dhe forcës së heshtur të gruas. Asaj force, fulë së cilës përballoi e kapërceu kaq shumë sfida në jetë.”
Xhevat Limani: Flora Brovina në Panteonin botëror të poezisë së angazhuar
Video kujtimi “Homazh për Florën” i parapriu ndarjes së Çmimit për Vepër Jetësore “TEUTA” pas vdekjes për dr. Flora Brovinën. Arsyetimin e solli shkrimtari, aktori dhe regjisori i mirënjohur Xhevat Limani, sipas të cilit Flora Brovina është ndër poetët e rrallë të letërsisë botërore e cila ka përdorur poezinë si zë të lirisë, qëndresës dhe dinjitetit njerëzor. “Poezia e Flora Brovinës ngërthen një vistër të gjerë motivesh shqetësuese për fatin e popullit shqiptar në Kosovë dhe më gjerë. Thirrjet e saja poetike për paqe dhe dashuri njerëzore janë kryeboshti tematikë e një strukturimi të ndjeshëm poetik. Ajo shkruan vargun me mjeshtri poetike, me emocione njerëzore, me një gjuhë të kulluar dhe me porosi të qarta që njerëzimi të notojë në oqeanin poetik të harmonisë njerëzore. Jeta dhe krijimtaria e shkrimtares Flora Brovina ecin paralel dhe shpesh shkrihen e huazohen me njëra-tjetrën. Poezia e angazhuar e Flora Brovinës, e radhit atë jo vetëm në Panteonin e femrave më të mira krijuese shqiptare, por edhe në Panteonin e rralluar të poezisë së angazhuar në letërsinë botërore“ (Arsyetim i „TEUTËS“ nga Xhevat Limani, prill 2026).

Ylli Begaj: “Faleminderit që u mblodhët për të nderuar veprën e nënës sonë…”
Nën emocionet dhe peshën e një mungese të pazëvendësueshme, çmimin për Vepër Jetësore “Teuta” dedikuar dr. Flora Brovinës e pranoi i biri, Ylli Begaj, i cili falënderoi të pranishmit për nderimin e veprës dhe të kujtimit të nënës së tij. “Ju falënderoj të gjithëve që u mblodhët për të nderuar kujtimin dhe veprën e nënës sonë. Ajo e kishte shumë për zemër këtë manifestim, fliste shpesh për të dhe në të kaluarën merrte pjesë me shumë dëshirë. Sot, edhe pse nuk është fizikisht mes nesh, jemi thellësisht të lumtur që kujtimi, fjala dhe vepra e saj vazhdojnë të jetojnë. Ju falënderojmë nga zemra për këtë nderim”, u shpreh Ylli Begaj.
Ramosaj: Koncepti i “Teutës” n’përputhje me synimet bashkëpunim e paqe
Karvani i vogël “Muzat e Alpeve” vazhdoi nderimin e figurës së dr. Flora Brovinës në Sallën e bibliotekës në Qendrën Rinore, me mbrëmjen poetike “TEUTA për Florën”.
Me këtë rast, kryetari Bashkim Ramosaj tha: ”Uroj të keni kaluar mirë në Mirditë dhe I gëzohem faktit që kemi një manifestim të tillë. Uroj që edhe ky edicion të mbetet brenda konceptit tuaj, krejt ndryshe nga ajo që jemi mësuar të shohim. Fundja, synimi i të gjitha nismave tona është integrimi, bashkëpunimi, shkëmbimi i përvojave dhe ndërtimi i paqes për brezat që vinë pas nesh”- tha në pritjen e shkrimtarëve kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.
Mjeku: “Flora mbetet figurë emblematike dhe e pakrahasueshme në të gjitha fushat”
Ndërsa, nënkryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës Xheladin Mjeku e kujtoi Florën si “një figurë emblematike, në fushën e letërsisë, si humaniste dhe një luftëtare e pathyeshme deri në frymën e fundit. “Dhimbja do të jetë e pranishme gjithmonë për mungesën e saj. Por vepra e gjithë asaj që ajo la pas në të gjitha fushat është një shembull të cilit vështirë ia gjen krahasimin.”
Shkrimtarët evokojnë kujtime për Florën
Ali Daci, shkrimtar, aktivist dhe punëtor arsimi me një rol të veçantë në artin, kulturën dhe arsimin e shqiptarëve në Mal të Zi, filloi evokimin e kujtimeve me Flora Brovinën që nga poezia, aktiviteti i saj humanitar para, gjatë luftës, eksodit e deri në burgimin e saj si dhe emocionin e çlirimit dhe vazhdimësinë e miqësisë dhe të bashkëpunimit. Për poeten shkodrane Farida Zmijani-Ramadani, Flora në poezi ishte e broshtë ndërsa e fuqishme në jetë. Ajo fliste për forcën e gruas dhe përqendrimin e kësaj force për të triumfuar. “Kur shihnim natyrën e saj të qete pyesnim vetvetiu: “Si ka mundësi që një grua kaq e qetë të jetë kaq e guximshme në jetë? Gra të tilla meritojnë respektin e të gjithëve!”
Kastel: “Lidhja jonë më e fortë mbretëresha jonë”

Përderisa, sipas poetit malazez Boris Jovanović Kastel, i njohur edhe si “Poeti i Mesdheut”, lidhjet historike ndërmjet popujve, si në trashëgiminë shpirtërore po ashtu në prejardhje e në territor, janë të panumërta. Por, lidhja më e fortë që na bashkon në këtë manifestim shkrimtarësh shqiptarë dhe malazezë është mbretëresha jonë e madhe, Teuta, e cila, sipas burimeve historike, sa ishte e bukur, po aq ishte edhe e guximshme. Emri i saj na mbledh edhe rreth poezisë, sepse, në mitologjinë greke, poetët janë hyjnorë: ata shpërndajnë paqe, ndërtojnë ura dhe ndërlidhin kultura. Ndaj, fjalën do ta përmbyll me thënien e Borgesit se biblioteka është parajsa e fundit mbi tokë”.
Me 2014, “Teuta” realizoi edhe turin “Shkrimtarët lobojnë për Kosovën” në Rumani
E themeluar në shkurt të vitit 2013, Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve “TEUTA” ka nderuar me Çmimin për Vepër Jetësore dymbëdhjetë korifej të letërsisë shqipe dhe malazeze: Jevrem Bërkoviq, Dritëro Agolli, Ramiz Kelmendi, Mirash Martinoviq, Moikom Zeqo, Nazmi Rrahmani, Zuvdija Hoxhiq Berisha, Xhevahir Spahiu, Rexhep Qosja, Zija Çela, Sreten Peroviq dhe Flora Brovina, së cilës çmimi iu nda pas vdekjes. Flora Brovina u nda nga jeta më 15 shtator 2026, në moshën 77-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar letrare, njerëzore dhe kombëtare. Ndërsa, botimet e saj në gjuhë shqipe dhe malazeze janë: prej të cilave janë edhe dy botimet më të fundit antologjia “Muzat e Alpeve”/ Çmimi TEUTA II si dhe “Pas frymës FJALA…”, me poezi të zgjedhura të dr. Flora Brovinës, e cila ndërroi jetë vetëm një muaj para pranimit të çmimit të akorduar disa muaj më parë, në nderim të kontributit të çmuar njerëzor, kombëtar dhe letrar.