Zulfaj: Kosova ka humbur 43.8 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së

02 nëntor 2026 | 11:31

Kosova ka humbur 43.8 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, pasi nuk ka arritur t’i përmbushë gjashtë nga 13 hapat e reformave, afati i të cilave ishte deri në qershor të këtij viti, si pasojë e bllokadës politike. Kështu ka bërë të ditur kryenegociatori i Kosovës me BE-në dhe koordinatori kombëtar për Planin e Rritjes, Jeton Zulfaj, gjatë raportimit në Komisionin për Integrim Evropian, raporton Ekonomia Online.

Zulfaj ka thënë se nga 13 hapat e paraparë në periudhën shtesë deri në qershor 2026, Kosova ka arritur t’i zbatojë shtatë, ndërsa gjashtë të tjerë nuk janë përmbushur brenda afatit të përcaktuar.

Ai ka bërë të ditur se vlera e përgjithshme e Planit të Rritjes për Kosovën është 882.6 milionë euro, ku dy të tretat e kësaj shume janë kredi të lidhura me 111 hapa reformash, të cilat duhet të përmbushen deri në fund të gushtit të vitit të ardhshëm.

“Siç e dini, Plani i Rritjes për Kosovën kap vlerën e 882.6 milionë eurove, ku dy të tretat janë kredi të lidhura me 111 hapa reformash, deri në fund të gushtit të vitit që vjen. Më 15 korrik të këtij viti, kemi dorëzuar kërkesën e parë për pagesë, me 20 hapa të zbatuar, në vlerë prej 153.4 milionë eurosh. Shuma përfundimtare do të varet nga vlerësimi i Bashkimit Evropian, për të cilin presim që në këto ditë të para të nëntorit të bëhet e ditur se sa do të jetë shuma e saktë. Nga 13 hapa në periudhën shtesë deri në qershor 2026, zbatuam shtatë, ndërsa gjashtë jo. Llogaritet se kanë humbur mbi 40 milionë euro, ose më saktë 43.8 milionë euro, të cilat kanë humbur për shkak të mosrealizimit të tyre brenda afatit të qershorit”, tha ai.

Zulfaj ka theksuar se shumica e reformave të papërmbushura kanë kërkuar miratimin e projektligjeve në Kuvend, në një kohë kur ky institucion ishte i shpërndarë.

Megjithatë, ai ka thënë se këto reforma janë rikthyer në proces dhe synohet të miratohen gjatë këtij viti. Ato përfshijnë ligjet për energjinë dhe falimentimin, pakon ligjore për drejtësinë, si dhe strategjinë kundër krimit të organizuar.

“Shumica e tyre kanë kërkuar miratimin e projektligjeve në Kuvend, në një kohë kur Kuvendi, siç e dini, ishte i shpërndarë. Megjithatë, të gjitha këto reforma janë në rrugë për t’u zbatuar këtë vit. Ligji për energjinë, ai për falimentimin, pakoja ligjore për drejtësinë dhe strategjia kundër krimit të organizuar. Pra, të gjitha reformat, sepse procesi i tërësimit në BE është proces reformator. Të gjitha reformat që nuk kanë arritur të përmbushen brenda afatit të qershorit janë kthyer sërish në proces, fillimisht në Qeveri e më pas në Kuvend, në mënyrë që të mos humbet asnjë reformë, edhe nëse mjetet nuk arrijnë të përfitohen me kohë”, tha ai.

Kryenegociatori ka paralajmëruar se deri më 31 dhjetor Kosova duhet t’i përmbushë edhe 22 hapa të tjerë, në vlerë prej 131.5 milionë eurosh.

Sipas tij, dhjetë akte duhet të miratohen në Kuvend, ndërsa një pjesë e projektligjeve pritet të procedohen nga Qeveria.

“Tani kemi përpara vetes 22 hapa në vlerë prej 131.5 milionë eurosh, që kanë afat deri më 31 dhjetor. Pra, kanë mbetur edhe 59 ditë. Dhjetë akte duhet të miratohen në këtë Kuvend. Projektligji për inovacion dhe ndërmarrësi tashmë është në Kuvend, kurse të tjerat Qeveria do t’i sjellë për miratim. Varësisht nga vonesat që mund të shkaktohen edhe nga Komisioni Evropian në dërgimin e komenteve, pasi pjesë e procesit të përmbushjes së hapave është edhe konsultimi me Bashkimin Evropian, secili hap, sidomos kur bëhet fjalë për ligjet, kërkon që përveç konsultimeve publike që zhvillojmë ne, të bëhen edhe konsultime me BE-në. Komisioni Evropian kërkon rreth 90 ditë kohë për t’i kthyer këto komente, gjë që shkakton vonesa të tjera në procedimin e ligjeve. Besoj se deri në fund të nëntorit duhet të procedohen projektligji për inovacion, i cili tashmë është në Kuvend, projektligji për prokurimin publik dhe ai për partneritetin publiko-privat”, tha Zulfaj.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ish-banorja e “Big Brother VIP Kosova”, Alba Vukaj, vazhdon të…