Kërkohet paraburgim ndaj V.C, i cili dyshohet se shiti mbi 110 armë zjarri në Gjakovë dhe raportoi rrejshëm vjedhjen e tyre

04 nëntor 2026 | 19:39

Prokuroria Themelore në Gjakovë, njofton se ndaj të pandehurit me inicialet V.C. ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve si dhe ka paraqitur, kërkesë në Gjykatën Themelore Gjakovë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Ndërkaq, ndaj dy të pandehurve të tjerë, “me inicialet D.P. dhe L.U. të cilët gjenden në arrati, Prokuroria ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” nga neni 364, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim.

Sipas kërkesës së prokurorisë, ndër të tjera, ceket se ekziston “dyshim i bazuar se i pandehuri me inicialet V.C. nga fillimi i muajit tetor 2026 e deri më datë 30.10.2026 në Gjakovë, konkretisht në poligonin e armëve “T…”, me dashje dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi për armët dhe materiet plasëse, ka shitur në mënyrë të paautorizuar mbi 110 (njëqind e dhjetë) armë zjarri, të cilat dyshohet se i kishte në depon e poligonit të licencuar, personave me inicialet D.P. dhe L.U. të cilët aktualisht gjenden në arrati. Pas kësaj, i pandehuri rastin e ka raportuar në Policinë e Kosovës, duke pretenduar rrejshëm se armët e njëjta i ishin vjedhur”.

Me këto veprime i pandehuri me inicialet V.C., “ka kryer veprat penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” nga neni 364 par.2 lidhur me par.1 të KPRK-së dhe “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë” nga neni 382 par.1 të KPRK-së”, përfundon prokuroria.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kryeministri Albin Kurti, pasi ka pranuar Raportin e Progresit të…