Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën 2026: detyrimet e Aneksit të Ohrid që retorika politike nuk i mbulon dot

04 nëntor 2026 | 22:58

Shkruan: Besa Ismaili-Ahmeti 

Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2026 është një rikujtim i rëndësishëm se zotimet ndërkombëtare nuk mund të riinterpretohen përmes retorikës politike.

Pavarësisht interpretimeve publike të kryeministrit Albin Kurti lidhur me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2023 dhe Aneksin të Ohrit, Bashkimi Evropian vazhdon t’i konsiderojë këto zotime si të vlefshme, ligjërisht të detyrueshme dhe pjesë përbërëse të rrugës evropiane të Kosovës.

Kjo vërehet veçanërisht në mënyrën se si raporti trajton lirinë fetare. Komisioni pranon se Kosova ofron garanci të përshtatshme ligjore për lirinë e mendimit, ndërgjegjes dhe fesë. Megjithatë, ai identifikon dy çështje ligjore ende të pazgjidhura: mosndryshimin e Ligjit për Lirinë Fetare të vitit 2006, për t’u mundësuar bashkësive fetare regjistrimin dhe fitimin e subjektivitetit juridik, si dhe nevojën për një zgjidhje gjithëpërfshirëse ligjore që do t’i sistematizonte mekanizmat e mbrojtjes së Kishës Ortodokse Serbe.

Komisioni e lidhë shprehimisht këtë kërkesë të fundit me Planin e Ahtisaarit dhe Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2023.
Ky është një formulim me rëndësi të veçantë. Ai dëshmon se BE-ja nuk e konsideron kornizën ekzistuese ligjore si të mjaftueshme për të siguruar mbrojtje të qëndrueshme të Kishës Ortodokse Serbe. Komisioni u referohet në mënyrë specifike Ligjit për Trashëgiminë Kulturore (2006), Ligjit për Lirinë Fetare (2006) dhe Ligjit për Zonat e Veçanta të Mbrojtura (2008), duke paralajmëruar kundër interpretimeve selektive të këtyre instrumenteve të ndryshme ligjore.

Seksioni i Raportit për të drejtat kulturore e përforcon këtë shqetësim. Komisioni evidenton vështirësitë e vazhdueshme ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Kishës Ortodokse Serbe, përfshirë interpretimet jokonsistente të mekanizmave mbrojtës dhe shkeljet e Ligjit për Zonat e Veçanta të Mbrojtura.

Neni 7: Për çfarë është zotuar realisht Kosova?

Neni 7 i Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve, i dakorduar në Bruksel më 27 shkurt 2023, përmban dy zotime të ndara, por me rëndësi të veçantë.
1. Zotimi i parë ka të bëjë me aranzhime dhe garanci specifike që sigurojnë një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, përfshirë ofrimin e shërbimeve, mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me Qeverinë e Kosovës.
2. Zotimi i dytë ka të bëjë me formalizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe dhe sigurimin e mbrojtjes së fuqishme për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe.
Neni 7 përcakton zotime për vetëmenaxhimin e komunitetit serb dhe, veçmas, zotime për statusin institucional dhe mbrojtjen e trashëgimisë së Kishës.

Aneksi i Ohrit, përcakton shprehimisht se ai është pjesë përbërëse e Marrëveshjes së Brukselit dhe se të dyja palët zotohen t’i zbatojnë detyrimet e tyre përkatëse në mirëbesim.

Aneksi kërkon në mënyrë specifike që Kosova të nisë negociatat për aranzhimet e vetëmenaxhimit sipas Nenit 7, në përputhje me marrëveshjet përkatëse të mëparshme të dialogut.

Vlerësimi i Komisionit për vitin 2026 lë shumë pak hapësirë për argumentin se mungesa e nënshkrimeve formale, interpretimet pasuese politike apo mospajtimet rreth terminologjisë i përjashtojnë këto zotime nga korniza e normalizimit të marrëdhënieve të përcaktuar nga BE-ja.

Edhe njëherë të theksojmë cilat janë detyrimet e Kosovës ndaj Bashkimit Evropian

Formulimi me pasojat më të rëndësishme gjendet në seksionin e raportit për normalizimin e marrëdhënieve. Komisioni thekson se Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023 është e vlefshme dhe ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët dhe se formalitetet që lidhen me miratimin apo formalizimin e saj nuk duhet të pengojnë zbatimin.

Ky është qëndrimi i qartë institucional i Bashkimit Evropian: zbatimi i marrëveshjeve dhe Aneksi i Ohrid trajtohen si kusht thelbësor i rrugës evropiane të Kosovës.

Komisioni pret që Kosova të nisë procesin që çon drejt aranzhimeve të vetëmenaxhimit për komunitetin serb të Kosovës ndërsa nga Serbia pritet që, paralelisht, të fillojë njohjen e dokumenteve, simboleve dhe institucioneve të Kosovës.

Është veçanërisht e rëndësishme që marrëveshja përcakton se nenet e saj duhet të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri. Prandaj, asnjëra palë nuk mund të justifikohet se mosplotësimi i një detyrimi nga pala tjetër i shuan automatikisht zotimet e veta. Nuk bëhet kjo gjë.

Raporti i vitit 2026 kritikon zbatimin e pamjaftueshëm nga të dyja palët. Ai evidenton veprime të Kosovës që Komisioni i konsideron në kundërshtim me detyrimet e dialogut, ndërsa njëkohësisht identifikon veprimet e Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare si të papajtueshme me Marrëveshjen e Ohrit.

Mësimi për Kosovën nga ky Raport është se obligimet juridike dhe retorikat politike nuk janë të shkëmbyeshme. Qeveritë mund t’ua interpretojnë marrëveshjet ndryshe audiencave të brendshme, por Komisioni Evropian e vlerëson zbatimin në raport me tekstet e dakorduara, zotimet e mëparshme dhe kornizën e vendosur të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve.

Bashkësitë fetare të Kosovës që mbeten në hije

Megjithatë, për mua ka qenë përherë shqetësuese mënyra sesi Raporti i BE-së trajton lirinë fetare: vëmendja shumë e vogël i kushtohet komuniteteve tjera fetare. Dominon vëmendja ndaj Kishës Ortodokse Serbe.

Ndonëse Komisioni e pranon problemin e përgjithshëm të mungesës së një mekanizmi regjistrimi dhe të subjektivitetit juridik për bashkësitë fetare, ai nuk ofron një konsideratë ndaj sfidave konkrete të lirisë fetare me të cilat përballen bashkësia islame, komuniteti katolik, protestant, hebrej etj. në Kosovë.

Mbrojtja specifike e Kishës Ortodokse Serbe mbështetet në kornizën ekzistuese ligjore të Kosovës dhe në zotimet e marra në kuadër të dialogut, prandaj duhet të zbatohet. Megjithatë, një përfshirja sesi liria fetare përjetohet dhe ushtrohet nga individët dhe bashkësitë e ndryshme në Kosovë, do të duhej të ishte pasqyruar në këtë Raport.
Sepse fundja fare, liria fetare është e drejtë universale, dhe jo vetëm një çështje që buron nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Për ta përmbyllur: Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2026 konfirmon se detyrimet e Kosovës sipas Nenit 7 mbeten relevante dhe i nënshtrohen vlerësimit të vazhdueshëm të Bashkimit Evropian.

 

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën dëshmon hendekun ndërmjet premtimeve…