FT: A po dështon marrëveshja e Trumpit me Putinin? Dy cisterna largohen nga ShBA-ja

05 nëntor 2026 | 08:18

Një plan i diskutueshëm i presidentit amerikan Donald Trump për të importuar naftë ruse (dizel) përpara zgjedhjeve të mesmandatit duket se po dështon. Sipas raportimeve të Financial Times, dy cisterna që fillimisht ishin nisur drejt bregdetit amerikan, e kanë ndryshuar papritur kursin.

Sipas të dhënave më të fundit, rezervat e naftës në SHBA kanë rënë nën 100 milionë fuçi – hera e parë kjo në më shumë se dy dekada. Kjo mungesë po krijon presion shtesë në tregun e karburanteve, i cili është jetik për ekonominë amerikane.

Gjatë javëve të fundit, Trump kishte arritur një marrëveshje me Presidentin rus Vladimir Putin për importimin e naftës, me synimin për të ulur çmimet e karburanteve dhe për të fituar mbështetjen e votuesve. Megjithatë, republikanët nuk arritën rezultatet që prisnin në zgjedhje, ndërsa demokratët kanë marrë kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit.

Cisterna ruse Talisman – e cila është subjekt i sanksioneve nga SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe BE-ja – si dhe cisterna Leruo – në pronësi të një kompanie me bazë në Hong Kong dhe gjithashtu subjekt i sanksioneve nga Mbretëria e Bashkuar, BE-ja dhe Kanadaja – nuk e kanë më bregdetin amerikan të Atlantikut si destinacion.

Cisterna Leruo e ka ndryshuar destinacionin dhe tani po lundron drejt Brazilit, ndërsa Talisman është kthyer drejt Detit Mesdhe dhe aktualisht ndodhet pranë Algjerisë. Të dyja anijet sinjalizojnë se janë në pritje të udhëzimeve të mëtejshme.

Një cisternë e tretë, Agioi Fanendes, e cila transporton naftë ruse, vazhdon të lundrojë drejt SHBA-së, por ende nuk ka një port të konfirmuar për shkarkim. Një tjetër cisternë, Beast, është nisur nga porti rus i Primorskut me destinacion bregdetin amerikan të Atlantikut.

Pronarët e cisternave të sanksionuara nuk ishin të disponueshëm për koment. Marrëveshja e Trumpit me Putinin ka shkaktuar pakënaqësi te ligjvënësit demokratë, si dhe te disa republikanë, të cilët kanë paralajmëruar se marrëveshja mund të jetë e paligjshme. Mikie Sherrill, përfaqësuese nga New Jersey, u ka bërë thirrje operatorëve të porteve dhe terminaleve që të mos lejojnë hyrjen e asnjë cisterne që transporton naftë ruse, duke paralajmëruar se në të kundërt do të përballen me sanksione të rënda. Matt Smith, një analist në firmën Kpler, deklaroi se dy nga tre dërgesat e naftës ruse (dizel) me destinacion SHBA-në janë devijuar tashmë. Ai shtoi se edhe cisterna e tretë mund ta ndryshojë kursin për shkak të pengesave ligjore dhe pasigurisë mes blerësve amerikanë.

Jacob Meldgaard, drejtor ekzekutiv i TORM, vuri në dukje se përpjekja për ta riintegruar Rusinë në rrjedhat e tregtisë globale nuk do të jetë e thjeshtë, madje as me mbështetjen e administratës amerikane.

Furnizimet globale me naftë (dizel) janë pakësuar për shkak të rënies së kapaciteteve të rafinimit, lidhur me luftërat në Iran dhe Ukrainë. Çmimet e kontratave të ardhshme për naftën janë rritur me më shumë se 60 për qind që kur Trump nisi një luftë në Iran, ndërsa çmimet në pikat e karburantit në SHBA kanë arritur në përafërsisht 6,27 dollarë për gallon.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha,…