Oligarku i afërt me pushtetin e Vuçiqit dyshohet se përvetësoi 390 milionë euro nga “Alta Bank”
Rreth 390 milionë euro dyshohet se janë përvetësuar në mënyrë të paligjshme nga ish-kryetari i Bordit të Drejtorëve të “Alta Bank”, Davor Macura. Megjithatë, vetëm një pjesë e vogël e kësaj shume dyshohet se është nxjerrë fizikisht nga arka e bankës, ndërsa pjesa dërrmuese nuk ka mbërritur kurrë aty, por është regjistruar fiktivisht si e ardhur nga shërbimi i këmbimit valutor “Alta Pay”.
Këto detaje dalin nga urdhri i Prokurorisë për fillimin e hetimeve, të cilin e ka shqyrtuar mediumi hulumtues serb KRIK.
Sipas dokumentit, rreth 370 milionë euro janë regjistruar si të ardhura ditore nga shërbimi i këmbimit valutor “Alta Pay”, por dyshohet se këto para nuk janë depozituar asnjëherë në arkën qendrore të bankës. Prokuroria dyshon se ato janë përvetësuar nga vetë Macura.
Macura dyshohet se ka përvetësuar më shumë se 45 miliardë dinarë nga arka e institucionit që drejtonte, gjatë periudhës nga fillimi i vitit 2020 deri në fund të tetorit 2026, kur ushtronte detyrën e kryetarit të Bordit të Drejtorëve të “Alta Bank”.
Në këtë veprimtari, sipas prokurorisë, e kanë ndihmuar dy punonjës të bankës: drejtori i Departamentit të Thesarit dhe Menaxhimit të Parasë së Gatshme, si dhe një bashkëpunëtor për operacionet e thesarit.
Sipas urdhrit të prokurorisë, Macura dyshohet se i ka siguruar paratë përmes dy mekanizmave. I pari përfshinte nxjerrjen fizike të parave të gatshme nga arka qendrore e bankës, ndërsa i dyti regjistrimin fiktiv të të ardhurave nga shërbimi i këmbimit valutor “Alta Pay”.
Në rastin e parë, Macura dyshohet se u kishte dhënë udhëzime bashkëpunëtorëve të tij që të nxirrnin para nga arka e bankës pa lënë gjurmë me shkrim dhe pa i regjistruar tërheqjet në dokumentacionin zyrtar. Sipas prokurorisë, këto udhëzime janë zbatuar dhe në këtë mënyrë nga arka janë nxjerrë fizikisht pothuajse 17 milionë euro.
Mekanizmi i dytë, që përbën pjesën dërrmuese të shumës së dyshuar, lidhet me të ardhurat e “Alta Pay”. Sipas dokumentit, Macura kishte dhënë udhëzime që këto të ardhura të regjistroheshin sikur ishin pranuar në kasafortën qendrore të bankës.
Megjithatë, prokuroria dyshon se paratë nuk janë depozituar asnjëherë në kasafortë, por janë mbajtur nga Macura për përdorim personal. Përmes këtij mekanizmi, ai dyshohet se ka përvetësuar rreth 370 milionë euro.
Urdhri i prokurorisë nuk sqaron se si Macura ka marrë në zotërim paratë që nuk janë depozituar fizikisht në bankë, ku janë mbajtur ato apo si janë përdorur më pas.
Dokumenti parasheh marrjen në pyetje të disa dëshmitarëve në kuadër të hetimeve, përfshirë Guvernatoren e Bankës Kombëtare të Serbisë, Jorgovanka Tabakoviq, drejtorin e Departamentit për Mbikëqyrjen e Bankave, Darko Stamenkoviq, anëtarë të Bordit të Drejtorëve dhe Bordit Ekzekutiv të “Alta Bank”, si dhe punonjës të kasafortës qendrore.
Davor Macura u arrestua të hënën, tri ditë pasi Banka Kombëtare e Serbisë ia revokoi licencën “Alta Bank”, për shkak të përkeqësimit të rëndë të gjendjes së saj financiare dhe rreziqeve për depozituesit.
Ai dhe dy bashkëpunëtorët e tij janë dërguar në paraburgim për shkak të rrezikut të arratisjes, mundësisë për të ndikuar te dëshmitarët dhe rrezikut të përsëritjes së veprës penale.



