Miliona euro për uniforma, blerjet konfidenciale të veturave: Cilat kontrata të Policisë po i heton IPK-ja?

05 nëntor 2026 | 22:59

Inspektorati Policor i Kosovës ka kërkuar suspendimin e drejtorit të Prokurimit të Policisë, Artan Fejza në kuadër të hetimeve që përfshijnë dhjetëra kontrata, nën dyshimet për mënyrën se si janë menaxhuar miliona euro të buxhetit. Nga kontrata afro 11 milionëshe për uniformat, te kontratat e negociuara për ushqim dhe blerjet e automjeteve jo me procedura të hapura, mund të jenë ato të cilat gjenden në dosjet e hetimeve të IPK-së.

Ky zhvillim i fundit ngre shqetësime rreth menaxhimit të kontratave publike në njërin prej institucioneve më të rëndësishme të sigurisë në vend.

Por cilat kontrata mund të jenë duke u shqyrtuar?

Nga një analizë e njoftimeve të publikuara në platformën e-Prokurimi dhe raportimeve të mëhershme mediale, Periskopi ka gjetur disa aktivitete të prokurimit me vlera të larta financiare, ankesa të operatorëve ekonomikë, anulimeve të përsëritura dhe përdorimit të procedurave të negociuara.

Tenderi 10.64 milionë euro për uniforma: Vite pritjeje, ankesa dhe mungesë furnizimi –

Një nga kontratat më të mëdha dhe më të kontestuara të Policisë së Kosovës është ajo për furnizimin me uniforma, e cila u nënshkrua në vitin 2026, pas një procesi të gjatë të prokurimit.

Tenderi ishte shpallur më 27 shtator 2023, me vlerë të parashikuar prej rreth 11.35 milionë eurosh.

Në procedurë kishin marrë pjesë disa operatorë ekonomikë, ndërsa procesi u përcoll me ankesa, kërkesa për rishqyrtim dhe vendime për rivlerësim.

Më 26 mars 2024, Policia rekomandoi për kontratë konsorciumin e përbërë nga kompanitë EMPREUS SH.P.K., Seyntex dhe BOULEVARD SH.P.K.

Vendimi u kontestua nga operatorë të tjerë ekonomikë.

Një ndër çështjet kryesore të kontestimit ishin testimet laboratorike të materialeve të uniformave dhe përputhshmëria e tyre me kërkesat e dosjes së tenderit.

Pas shqyrtimeve, procesi u kthye në rivlerësim.

Megjithatë, në qershor 2026, kontrata prej 10 milionë e 640 mijë eurosh iu dha konsorciumit EMPREUS, Seyntex dhe BOULEVARD. Njoftimi për nënshkrimin e saj u publikua më 20 korrik 2026.

Kontrata ka kohëzgjatje prej 36 muajsh, ndërsa në dokumentacion përmendet afati 180-ditor për dorëzim.

Pikërisht në këtë periudhë, Policia u përball me një situatë të pazakontë.

Sipas raportimeve në media, mungesa e uniformave ndikoi në shtyrjen e ceremonisë së diplomimit të gjeneratës së 63-të të kadetëve policorë. Madje, u raportua se zyrtareve policore u ishte kërkuar t’i dorëzonin përkohësisht kapelat e uniformave për t’ua huazuar kadetëve.

Kontrata 650 mijë euro për ushqim: Anulohet tenderi i hapur, vazhdohet përmes negocimit

Një tjetër aktivitet që ngre pyetje për menaxhimin e prokurimit është furnizimi me ushqim për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Në fund të vitit 2025, Policia anuloi një procedurë të hapur për shërbimet e ushqimit, me vlerë të parashikuar prej rreth 2.7 milionë eurosh për 36 muaj.

Arsyetimi i dhënë ishte mungesa e ofertave të përgjegjshme.

Por anulimi u kontestua dhe çështja përfundoi në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Ndërkohë, Policia zhvilloi një procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës, me vlerë të parashikuar prej 650 mijë eurosh.

Njoftimi për nënshkrimin e kontratës u publikua më 6 janar 2026.

Kontrata emergjente ishte lidhur me kompaninë Beni Dona Plast SH.P.K., për një periudhë tremujore.

Organizata INPO ngriti shqetësime publike për ligjshmërinë dhe arsyeshmërinë e kësaj procedure, duke argumentuar se nevoja për ushqim ishte e parashikueshme dhe se anulimi i tenderit të hapur nuk e justifikonte automatikisht përdorimin e negocimit.

Edhe 800 mijë euro të tjera për ushqim me procedurë të negociuar

Historia e kontratave për ushqim nuk përfundon me 650 mijë eurot e fillimit të vitit.

Në shtator 2026, Policia publikoi një tjetër njoftim për nënshkrimin e kontratës, këtë herë për shërbime emergjente me ushqim, me vlerë të parashikuar prej 800 mijë eurosh.

Edhe kjo procedurë u zhvillua përmes negocimit pa publikim të njoftimit të kontratës.

Njoftimi për dhënie u publikua më 7 shtator, ndërsa ai për nënshkrimin më 9 shtator 2026.

Kështu, vetëm dy procedurat e negociuara për ushqim kishin vlerë të parashikuar të përbashkët prej 1.45 milionë eurosh.

Pse nevoja për ushqim vazhdoi të trajtohej përmes negocimit, kjo nuk dihet…

Blerjet konfidenciale të automjeteve: Sa para u shpenzuan jashtë tenderëve të hapur?

Sipas një hulumtimi të Betimi për Drejtësi, Policia ka blerë rreth 570 automjete gjatë periudhës 2021–2026.

Në një përgjigje me shkrim, nga ky institucion thonë se nga vitin 2021 deri në vitin 2026, kanë blerë gjithsej 570 automjete.

Por, asnjëra nga to nuk rezulton të jetë blerë me procedurën e hapur të prokurimit publike.

“Policia e Kosovës nga viti 2021-2026 ka blerë rreth 570 automjete, përderisa gjate te njëjtës periudhe mbi 100 automjete tjera janë pranuar si donacion nga donator te shteteve te ndryshme mike.

Përgjigjen ju përcjellim për informim tuajin, megjithatë kërkohet nga ana juaj qe informacionet statistikat te përdoren vetëm për qëllimin e kërkuar dhe jo për qëllime tjera si dhe çdo publikim apo përdorim tjetër i paautorizuar i kapaciteteve te PK-se për qëllime tjera mbetet në përgjegjësinë tuaj”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

I pyetur Pruthi, se nga ky vit sa kontrata kanë me Policinë e Kosovës, shprehet “shumë”.

“Gazetarja: Prej vitit 2021 a keni shumë kontrata me Policinë e Kosovës?

Pruthi: Shumë, shumë kemi, me të gjitha institucionet jo vec me Kosovën”.

Për këtë, Betimit për Drejtësi i është drejtuar me pyetje shtesë Policisë së Kosovës.

Në kërkesën drejtuar Policisë, “Betimi për Drejtësi” është interesuar, se me cilën procedurë ligjore janë blerë të njëjtat, sa është vlera e tyre, nga cilat kompani, sa nga to janë të tipit Skoda Octavia Selection, si dhe nëse në vitin 2025 kanë pasur marrëveshje zyrtare gjatë vitit 2025 për blerjen e veturave e e cila ka dështuar.

Mirëpo, Policia e Kosovës nuk është përgjigjur./Periskopi/

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Banka Qendrore e Polonisë ka arritur të grumbullojë 700 tonë…