Dyshohet për manipulim masiv të votave në Serbi, nën hetim dhjetëra zyrtarë të Vuçiqit
Prokuroria Publike e Serbisë për Krim të Organizuar (JTOK) ka hapur procedura hetimore ndaj drejtorit të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA), Vladimir Orliq, ministrit të Drejtësisë në detyrë, Nenad Vujiq, si dhe dhjetëra zyrtarëve të tjerë, nën dyshimet për shkelje të të drejtave zgjedhore dhe detyrim të votuesve.
Hetimet lidhen me dyshimet për manipulime të mëdha gjatë zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit, përmes keqpërdorimit të pozitave zyrtare, presioneve ndaj punonjësve të institucioneve shtetërore dhe organizimit të mbledhjes së të ashtuquajturave “vota kapilare” në favor të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) të Aleksandar Vuçiqit.
Sipas agjencisë Hina, në mesin e personave ndaj të cilëve janë ngritur kallëzime penale janë edhe drejtori i Administratës për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, Mile Jandriq, këshilltarja e ministrit të Drejtësisë, Milica Radonjiq, si dhe rreth 60 persona të tjerë, përfshirë drejtues dhe punonjës të burgjeve dhe institucioneve korrektuese në Serbi.
Kallëzimet përfshijnë edhe persona të paidentifikuar, të cilët prokuroria i përshkruan si zyrtarë të nivelit të lartë, përfaqësues dhe aktivistë të SNS-së.
Të dyshuarit përballen me dyshime për bashkim kriminal, keqpërdorim të pozitës zyrtare, dhënie dhe marrje ryshfeti në lidhje me votimin, mbledhje të paautorizuar të të dhënave personale, si dhe diskriminim.
Prokuroria ka kërkuar nga Shërbimi për Luftimin e Krimit të Organizuar në Ministrinë e Brendshme që të mbledhë informacionet e nevojshme dhe të verifikojë pretendimet e paraqitura në kallëzimet penale. Kërkesa përfshin marrjen në pyetje të të gjithë personave të kallëzuar dhe të të tjerëve që mund të kenë njohuri për keqpërdorimet e dyshuara.
Dyshimet për manipulim të procesit zgjedhor ishin ngritur që gjatë fushatës zgjedhore nga opozita, lëvizja studentore dhe organizatat joqeveritare. Ata kishin paralajmëruar për presione, shantazhe dhe blerje të mundshme të votave nga partia në pushtet, me qëllim ndikimin në vullnetin e votuesve dhe rezultatin zgjedhor.
Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, të cilat ende nuk janë publikuar zyrtarisht si rezultate përfundimtare, Lista Studentore ka fituar zgjedhjet me 53.01 për qind të votave, ndërsa SNS-ja ka marrë 38.98 për qind.
Hapja e këtyre procedurave hetimore vjen në javën e dytë pas humbjes së SNS-së në zgjedhje, periudhë gjatë së cilës janë shënuar ndryshime në media dhe në drejtësi, si dhe arrestime të shumta të policëve, bankierëve, zyrtarëve shtetërorë dhe drejtuesve të ndërmarrjeve publike.
Studentët, aktivistët, politikanët opozitarë dhe organizatat për të drejtat e njeriut e kanë akuzuar vazhdimisht Vuçiqin dhe SNS-në për dhunë politike, presion ndaj mediave, lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsion të përhapur. Vuçiqi dhe bashkëpunëtorët e tij i kanë mohuar këto akuza, duke kundërshtuar me pretendime se përkrahësit e Listës Studentore po ushtrojnë “terror revolucionar”.



