Trumpi e shpall Zyrën Ovale monument kombëtar, vendos kapelën “VETO” si mesazh për Kongresin e ri

06 nëntor 2026 | 08:48

Presidenti amerikan Donald Trump ka shpallur Zyrën Ovale, hapësirat ngjitur me të dhe sallën e mbledhjeve të Kabinetit monument kombëtar, me synimin për të mbrojtur këto ambiente historike nga ndryshimet e mëdha arkitekturore në të ardhmen.

Trumpi deklaroi se vendimi do të vështirësojë ndërhyrjet e rëndësishme në këto hapësira, duke argumentuar se askush nuk duhet të ketë mundësinë të shkatërrojë një pjesë kaq të rëndësishme të historisë presidenciale amerikane.

Megjithatë, shpallja nuk ndalon presidentët e ardhshëm të ndryshojnë mobiliet, dekorimin apo të kryejnë ndërhyrje rutinë dhe të sigurisë.

Gjatë nënshkrimit, vëmendjen e tërhoqi edhe një kapelë e kuqe me mbishkrimin “VETO”, të cilën Trump e vendosi mbi tavolinën historike presidenciale. Ky veprim u interpretua si një mesazh politik për demokratët, të cilët kanë fituar kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit në zgjedhjet e mesmandatit.

Trumpi ka paralajmëruar se do të përdorë të drejtën e vetos kundër nismave ligjore me të cilat nuk është dakord.

Vendimi vjen ndërsa presidenti po realizon ndryshime të mëdha në Shtëpinë e Bardhë, përfshirë ndërtimin e një salle të re madhështore, ndryshimet në Kopshtin e Trëndafilave dhe transformimin e dekorimit të brendshëm me elemente të shumta të praruara në ar, portrete dhe statuja.

Kështu, Trumpi synon të lërë gjurmën e tij në kompleksin presidencial, ndërsa njëkohësisht kërkon të mbrojë disa prej ambienteve më historike të tij nga ndryshimet e ardhshme.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Republikani me origjinë shqiptare, Joe Hoxha, i cili fitoi një…