Trumpi: FBI po heton lidhjet e shefit të Nvidias me spiunen e dyshuar kineze

10 nëntor 2026 | 08:23

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se FBI-ja po heton çështjen që lidhet me marrëdhënien mes drejtuesit ekzekutiv të kompanisë Nvidia, Jensen Huang, dhe një gruaje të dyshuar si spiune kineze, raporton BBC.

Trump bëri të ditur se kishte zhvilluar një bisedë me Huang të hënën, pas raportimeve se autoritetet amerikane dyshojnë se drejtuesi i kompanisë është vënë në shënjestër të një fushate spiunazhi nga Kina.

I pyetur nëse Huang kishte dijeni për identitetin e vërtetë të gruas, Trump tha se e kishte diskutuar drejtpërdrejt këtë çështje me të. Sipas presidentit amerikan, Huang i kishte mohuar çdo dijeni se ajo ishte spiune, ndërsa Trump u shpreh se i besonte deklaratës së tij.

Ndërkohë, Pekini ka hedhur poshtë akuzat, duke i cilësuar pretendimet si të pabazuara, spekulative dhe të motivuara nga qëllimi për të dëmtuar imazhin e Kinës.

Nga ana e saj, Nvidia ka bërë të ditur se ka angazhuar një hetim të pavarur për çështjen që përfshin Alice Huang, e dyshuar si agjente kineze. Kompania deklaron se nuk ka arsye të besojë se sekretet tregtare apo siguria kombëtare janë komprometuar.

Çështja ka pasur edhe ndikim në tregjet financiare. Nvidia, e cila renditet si kompania e dytë më e vlefshme në botë pas Apple, humbi rreth 250 miliardë dollarë nga vlera e saj në treg të hënën, pasi aksionet ranë me më shumë se 4%.

Trump konfirmoi gjithashtu se FBI-ja po merret me çështjen, por nuk dha detaje mbi ecurinë e hetimeve apo momentin kur ato kanë nisur.

Sipas një raportimi të gazetës “The New York Times”, zyrtarët e inteligjencës amerikane besojnë se Alice Huang, e njohur edhe si Huang Le, ka qenë spiune në shërbim të Pekinit. Ajo nuk ka lidhje familjare me drejtuesin e Nvidia, Jensen Huang.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Shtrenjtimi i produkteve dhe shërbimeve bazë po vazhdon të rëndojë…