Ish-modelja: Agjencia e modelimit më çoi tek Epsteini, ai më përdhunoi për vite me radhë

10 nëntor 2026 | 08:26

Një grua, e cila është përdhunuar nga Jeffrey Epstein, pretendon se presidenti i agjencisë së modeleve që e përfaqësonte atë e vuri në rrezik, duke e dërguar në dy sesione fotografike në shtëpinë e tij në Florida – një person i dënuar për krime seksuale. Në vitin 2009, Epstein po vuante një dënim me burg për krime seksuale që përfshinin një të mitur, por atij i lejohej të punonte nga shtëpia çdo ditë.

“Detyra e agjencisë sime ishte të më mbronte, por ata dështuan. Në fakt, ata më vunë në rrezik. Ata duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë,” tha ajo për BBC-në. Roza ishte 18 vjeçe kur dega amerikane e agjencisë “MC2 Model Management” e dërgoi për herë të parë në shtëpinë e Epstein-it në Palm Beach. Ajo kishte mbërritur në SHBA nga Uzbekistani vetëm një muaj më parë. Jeff Fuller, presidenti i atëhershëm i degës amerikane të MC2, tani drejton një agjenci tjetër modelesh në SHBA, të quajtur “The Source Models”.
“Agjencia ime e dinte saktësisht se ku ndodhesha. Pra, Jeff e dinte saktësisht se ku po shkoja,” thotë Roza. Ajo paraqiti një raport shpenzimesh, i cili tregon se Fuller-i kishte rezervuar biletën e saj të kthimit nga Palm Beach pas sesionit të dytë fotografik në rezidencën e Epstein-it. Më herët, Fuller-i kishte pretenduar se nuk ishte në dijeni që Roza po shkonte në shtëpinë e Epstein-it.

Agjencia pretendon se nuk dinte asgjë.

Roza shpjegon se këto sesione fotografike çuan në punësimin e saj si asistente e Epstein-it. Viktima të tjera kanë përshkruar se si financieri e përdorte punësimin e asistenteve si një dredhi të sofistikuar, duke i mundësuar atij të vazhdonte të abuzonte me gra të reja.

Roza deklaron se, më pas, Epstein e përdhunoi atë në mënyrë sistematike. Fuller-i nuk iu përgjigj pyetjeve të BBC-së lidhur me këto akuza; më parë ai kishte deklaruar se nuk ishte në dijeni që Roza ishte abuzuar. Dokumente që lidhen me Epstein-in, të bëra publike nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë (DOJ), zbulojnë se dhjetë modele nga agjencia MC2 janë takuar ose kanë komunikuar me Epstein-in pas dënimit të tij. Dokumentet tregojnë gjithashtu se në vitin 2005, Epstein i dha 1 milion dollarë agjencisë MC2 – ndonëse, dy vjet më vonë, pronarët e agjencisë deklaruan për mediat amerikane se ai nuk kishte asnjë lidhje me firmën e tyre. Dëshmitë ngrenë gjithashtu pikëpyetje mbi rolet e dy individëve të tjerë nga industria e modës, të cilët, sipas dokumenteve të Departamentit të Drejtësisë (DOJ), ishin të afërt me Epstein-in.

Këta individë janë ish-agjenti Ramsey Elkholy dhe drejtoresha e agjencisë, Faith Kates. Një deklaratë e lëshuar vitin e kaluar nga Departamenti i Drejtësisë – në të cilën pretendohej se nuk ishin gjetur prova që do të justifikonin hetime të mëtejshme ndaj “palëve të treta ndaj të cilave nuk janë ngritur akuza” – po kundërshtohet tani nga senatori i shtetit të Nju Jorkut, Zellnor Myrie.

Ai ka propozuar një legjislacion të ri lidhur me trafikimin e qenieve njerëzore për qëllime shfrytëzimi seksual, i cili do t’u jepte organeve të zbatimit të ligjit kompetenca më të gjera për të hetuar individët që e kanë ndihmuar Epstein-in. Sara Ziff, themeluese e “Model Alliance” – një organizatë që avokon për mbrojtje më të mirë të modeleve – e mbështet këtë propozim.

“Agjencitë e modës janë shpesh pjesë e problemit. Ato shërbejnë si lidhje midis modeleve dhe grabitqarëve seksualë,” tha ajo.

Roza deklaron se personi që qëndronte pas kamerës gjatë sesioneve fotografike, ku e kishte dërguar agjencia MC2, nuk ishte një fotograf profesionist, por e dashura e Epstein-it në atë kohë, Nadia Marcinko. Ajo e përshkruan situatën si “të çuditshme”: nuk kishte stilistë dhe fotografitë nuk u përdorën kurrë. Ajo është e bindur se këto sesione fotografike ishin organizuar mes Epstein-it dhe agjencisë MC2.

“Epstein kërkonte tri vajza të ndryshme në ditë.”

Një email i dërguar nga Fuller-i për Epstein-in – i gjetur në dokumentet e Departamentit të Drejtësisë (DOJ) – dëshmon qartë lidhjet e ngushta midis agjencisë dhe financierit.

“Po të mos ishte për ty, ne do ta kishim larguar atë muaj më parë,” shkroi Fuller-i në mars të vitit 2012, duke iu referuar një modeleje tjetër. “Dhe do të bëja kujdes, sepse ajo flet gjithfarë gjërash,” shtoi ai.

Një muaj pas arrestimit të dytë të Epstein-it në vitin 2019, dega amerikane e MC2 u mbyll. Më pas, Fuller-i hapi një agjenci të re, “The Source Models”, e cila vazhdon të jetë aktive edhe sot. BBC-ja zbuloi se 50 modele nga MC2 u transferuan në agjencinë e tij të re. “The Source Models” nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se FBI-ja po heton…