Ndalohet hyrja e rreth 150 mijë lodrave nga Kina në tregun e Kosovës
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka ndaluar vendosjen në treg të rreth 150 mijë lodrave për fëmijë me origjinë nga Kina, të cilat, sipas tij, nuk i plotësonin kërkesat themelore të përcaktuara me Rregulloren për Sigurinë e Lodrave.
Ky aksion është realizuar në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, në kuadër të një aktiviteti të përbashkët të mbikëqyrjes së tregut, me qëllim të forcimit të kontrollit dhe parandalimit të hyrjes në treg të produkteve që nuk i përmbushin standardet e sigurisë.
“Gjatë kontrollit është konstatuar se lodrat e ndaluara nuk i plotësonin kërkesat themelore të përcaktuara me Rregulloren nr. 02/2017 për sigurinë e lodrave”, është thënë në njoftimin e tyre.
Tutje, është bërë e ditur se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, do të vazhdojë aktivitetet e mbikëqyrjes dhe kontrollit të produkteve që vendosen në treg, në funksion të mbrojtjes së konsumatorëve dhe garantimit të sigurisë së produkteve.



