I armatosur me pushkë dhe 140 fishekë luftarakë, arrestohet 17-vjeçari në Tiranë
Një 17-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi u kap duke lëvizur i armatosur me një pushkë gjysmëautomatike dhe 140 fishekë luftarakë në rrugën e fshatit Allgjatë.
I mituri, banues në Vaqarr, u ndalua në kuadër të operacionit policor të koduar “Guns 3”, pas informacioneve të siguruara nga policia për një person që qarkullonte me armë zjarri pa leje.
Njoftimi i Policisë:
DVP Tiranë/Finalizohet një tjetër operacion kundër armëmbajtjes pa leje.
Lëvizte në rrugën e fshatit “Allgjatë”, i armatosur me një pushkë dhe 140 fishekë luftarakë, arrestohet 17-vjeçari.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, për një shtetas që lëvizte i armatosur, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 finalizuan operacionin policor të koduar “Guns 3”, në kuadër të të cilit u ndërhy për të ndaluar shtetasin e dyshuar, në rrugën e fshatit “Allgjatë”.
Konkretisht, u vu në pranga shtetasi i mitur 17 vjeç, banues në Vaqarr, i cili u kap në flagrancë duke lëvizur me një armë zjarri të dyshuar pushkë, gjysmëautomatike, si dhe 140 fishekë luftarakë, të cilat i posedonte pa leje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.



