Osmani: Ibrahim Rugova është Ati Themelues i Republikës së Kosovës, asnjë fushatë denigrimi nuk mund ta ndryshojë historinë

15 nëntor 2026 | 11:26

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka reaguar lidhur me, siç i ka cilësuar ajo, përpjekjet e koordinuara për ta denigruar rolin historik të ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Përmes një postimi në ‘Facebook’, Osmani ka theksuar se Rugova është Ati Themelues i Republikës së Kosovës dhe se kontributi i tij historik nuk mund të shkëputet nga asnjë periudhë e ndërtimit të shtetit.

Ajo ka kritikuar pretendimet se Rugova kishte merita vetëm deri në vitin 1994, duke i cilësuar ato si përpjekje të qëllimshme për falsifikimin e historisë.

Osmani ka kujtuar gjithashtu takimet e saj me liderë botërorë gjatë pesë viteve në postin e presidentes, duke thënë se në këto takime ishte vlerësuar vazhdimisht kontributi i Rugovës në ndërtimin e shtetit dhe të aleancave ndërkombëtare.

Sipas saj, Rugova ndërtoi rezistencën politike, organizoi institucionet e Kosovës, ndërkombëtarizoi çështjen shqiptare dhe udhëhoqi përfaqësimin institucional të vendit në rrugën drejt pavarësisë.

Ajo ka hedhur poshtë edhe insinuatat për lidhje të Rugovës me Millosheviqin, duke i cilësuar ato si shpifje, ndërsa ka reaguar edhe ndaj pretendimeve që, sipas saj, janë bërë ndaj bashkëshortes së tij, Fanë Rugova.

Postimi i plotë i Osmanit:

RRETH PËRPJEKJEVE TË KOORDINUARA PËR TA DENIGRUAR ROLIN E PRESIDENTIT RUGOVA

Ibrahim Rugova është Ati Themeltar i Republikës së Kosovës. As vitet e okupimit, as lufta dhe as vitet e pasluftës nuk mund të shkëputen nga roli i tij historik në ndërtimin e shtetit tonë.

Të shpifësh se Rugova kishte merita vetëm deri më 1994 dhe të mohosh gjithçka që bëri deri në vitin 2006, është përpjekje e qëllimshme për ta falsifikuar historinë. Por aspak e papritur nga ata që mund ta kenë parë si bashkëpunëtor Stanishiqin.

Gjatë pesë viteve të mandatit tim si Presidente, në qindra takime me liderë botërorë, ata kanë përmendur vetëm kontributin e Rugovës në ndërtim të shtetit e aleancave. Asnjëherë nuk kanë përmendur ndonjë lider tjetër, e kjo tregon shumë për rolin e tij.

Rugova ndërtoi rezistencën politike, organizoi institucionet e shtetit të Kosovës kur ato ishin të ndaluara, ndërtoi celulat e para të rezistencës së armatosur, ndërkombëtarizoi çështjen tonë dhe, pas luftës, udhëhoqi përfaqësimin institucional të Kosovës në rrugën drejt pavarësisë. Ndërsa insinuatat për lidhje me Millosheviqin janë shpifje të ulëta. Edhe më të ulëta janë shpifjet ndaj Zonjës së Parë të shtetit të Kosovës, znj. Fanë Rugova.

Rugova ishte sulmuar vazhdimisht nga regjimi i Millosheviqit dhe u rrëmbye dhunshëm nga ai regjim, siç dëshmohet edhe nga dëshmitarët ndërkombëtarë. Dëshmia e tij në Tribunalin e Hagës për krimet serbe dhe luftën e drejtë të UÇK-së është pjesë e historisë së dokumentuar.

Prandaj, historia nuk mund të rishkruhet përmes botimeve të shpifësve recidivistë, as e vërteta të zëvendësohet me shpifjet e tyre të njëpasnjëshme.

Po ua përsëris: IBRAHIM RUGOVA ËSHTË ATI THEMELTAR I REPUBLIKËS SONË!

Pranojeni këtë realitet. Ky është vendi i tij në histori e në zemrat e popullit të Kosovës dhe asnjë fushatë denigrimi nuk mund ta ndryshojë.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Një 17-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi u…