Vizita e Jakup Krasniqit, Tasholli e krahason Specialen me gjykatat e Jugosllavisë: Dy burgje, ni njeri
Ismail Tasholli ka publikuar një status në Facebook, në të cilin ka bërë një paralele mes dënimit të Jakup Krasniqit nga sistemi jugosllav dhe procesit gjyqësor ndaj tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Tasholli, përmes një analize që e ka titulluar “Dy burgje, ni njeri”, e ka interpretuar biografinë e Krasniqit si përballje me dy sisteme të ndryshme ideologjike, të cilat, sipas tij, kanë përdorur mekanizma të ngjashëm ndëshkimi ndaj të njëjtit individ.
Ai ka kujtuar se Krasniqi ishte dënuar nga sistemi jugosllav për propagandë dhe veprimtari kundër rendit të atëhershëm, ndërsa tani po përballet me drejtësinë ndërkombëtare nën akuza që Tasholli i cilëson si të lidhura me propagandën dhe mobilizimin e qytetarëve në luftën për liri.
“Dy rende historike, që pretendojnë me përfaqësu norma krejt të ndryshme, përfundojnë tue përdorë mekanizma të ngjashëm ndëshkimi ndaj të njëjtit individ”, ka shkruar Tasholli.
Tasholli i është referuar veprës “Disiplinë dhe Ndëshkim” të filozofit francez Michel Foucault, duke ngritur pyetjen se si sisteme që legjitimojnë veten përmes parimeve të ndryshme mund të përdorin të njëjtat mekanizma të ushtrimit të pushtetit mbi individin.
Sipas Tashollit, kur politika ka nevojë ta përdorë njeriun si mjet, pak rëndësi kanë format e qeverisjes apo parimet që institucionet pretendojnë se i mbrojnë.
Ai ka kritikuar edhe institucionet evropiane, duke u bërë thirrje që të mos flasin në emër të drejtësisë nëse nuk i respektojnë vetë parimet që promovojnë.
“Sepse nuk mundeni me u thirrë në parimet kantiane të dinjitetit njerëzor, e në të njëjtën kohë me e trajtu njeriun si mjet për qëllime politike. Parimi kantian osht i qartë, njeriu duhet m’u trajtu gjithmonë si qëllim në vetvete, e kurrë veç si vegël”, ka shkruar ai.
Në fund, Tasholli ka vlerësuar se drejtësia që e përdor individin si mjet për qëllime politike pushon së qeni drejtësi në kuptimin moral dhe shndërrohet në një formë tjetër të ushtrimit të pushtetit, të mbështjellë me parime që vetë i shkel.



