Skandali i kopjimit me inteligjencën artificiale, jep dorëheqjen ministri i Arsimit në Korenë e Jugut

22 nëntor 2026 | 19:43

Ministri i Arsimit i Koresë së Jugut, Choi Kyo-jin, ka dhënë dorëheqjen pas një skandali mashtrimi me inteligjencën artificiale, i cili ka ngritur pikëpyetje mbi integritetin e provimeve të pranimit në universitet.

Kontroversia shpërtheu më 15 nëntor, kur kandidati me rezultatin më të lartë në provimin e kontabilitetit tatimor pranoi se kishte përdorur një aparat fotografik dhe një smartphone për të manipuluar inteligjencën artificiale, duke arritur një rezultat pothuajse perfekt.

Zbulimet tronditëse erdhën vetëm katër ditë para provimit Suneung, testit të vështirë të pranimit në universitet, të cilit i nënshtrohen rreth gjysmë milioni studentë.

Si pasojë, autoritetet morën masa të paprecedenta, duke përfshirë mbylljen e rrjetit Wi-Fi pranë qendrave të provimit dhe ofrimin e një shpërblimi prej 68 mijë eurosh për këdo që raportonte raste kopjimi.

Ndërkohë, ministri i Arsimit, Choi Kyo-jin, u përpoq të qetësonte opinionin publik, në një vend ku provimet universitare kanë një rëndësi të jashtëzakonshme dhe ndikojnë drejtpërdrejt në perspektivat profesionale dhe shoqërore të të rinjve.

Të hënën, gjatë një seance me ligjvënësit, kur u pyet nëse autoritetet do të ishin në gjendje të identifikonin kandidatët që kopjonin gjatë provimit të pranimit në universitet, politikani 72-vjeçar u përgjigj se, për shkak të moshës, nuk ishte i sigurt nëse do të mund ta bënte një gjë të tillë.

Deklarata shkaktoi reagime të ashpra, ndërsa Choi nuk u shfaq në konferencat për shtyp në ditët në vijim.

Sipas autoriteteve, gjatë provimit të së enjtes u identifikuan gjithsej 111 raste të shkeljeve që lidhen me përdorimin e pajisjeve elektronike. Në gati gjysmën e tyre, kandidatët nuk kishin dorëzuar telefonat celularë, të cilët u zbuluan përfundimisht falë emaileve të dërguara nga autoritetet.

Në një reagim të publikuar në rrjetin social X, Choi deklaroi se provimi kishte përfunduar pa incidente të mëdha, por pranoi se nuk mund t’i shmangej kritikave të publikut për mungesën e përgatitjeve të mjaftueshme.

“Tani që provimi mbaroi, marr përgjegjësi të plotë për atë që ndodhi dhe me anë të kësaj paraqes dorëheqjen time”, shkroi ai.

Zyra presidenciale konfirmoi se presidenti Lee Jae-myung e kishte pranuar dorëheqjen e ministrit.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Një sulm me dron rus ka goditur mëngjesin e sotëm…