Asfaltohet rruga në Shalë të Bajgorës, banorët kritikojnë punimet: E ngushtë dhe me hapësirë të pashfrytëzuar

22 nëntor 2026 | 23:51

Një rrugë e asfaltuar në zonën e Shalës së Bajgorës, në Komunën e Mitrovicës, ka nxitur kritika për mënyrën e realizimit të punimeve, pasi, sipas një postimi të publikuar në Facebook, gjerësia e asfaltit është shumë e vogël, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e terrenit ka mbetur e pashfrytëzuar.

Në fotografinë e publikuar shihet një rrugë e sapoasfaltuar, e cila duket mjaft e ngushtë për qarkullimin e automjeteve në të dy drejtimet. Anash saj vërehen hapësira të pashtruara, për të cilat pretendohet se kanë mundur të shfrytëzoheshin për zgjerimin e rrugës.

Kjo ka ngritur pikëpyetje për cilësinë dhe planifikimin e investimeve në infrastrukturën rrugore në këtë zonë të Mitrovicës.

Në reagimin e publikuar, kritikohet mënyra se si po realizohen punimet në fshatrat e Shalës së Bajgorës, duke u kërkuar institucioneve lokale që investimet të jenë funksionale dhe në shërbim të nevojave të qytetarëve.

“Rruga aq e ngushtë sa mezi mund të kalojë një automjet. Gjerësia e asfaltit pothuajse e njëjtë me atë të trotuarit”, thuhet në reagimin e publikuar në Facebook.

Më tej, ngrihet shqetësimi se punimet po realizohen pa shfrytëzuar të gjitha mundësitë që ofron terreni për krijimin e një rruge më të gjerë dhe më funksionale.

Deri më tani, në postimin e publikuar nuk jepen detaje për projektin, koston e investimit apo institucionin përgjegjës për realizimin e tij.

Qytetarët kërkojnë që investimet publike në Komunën e Mitrovicës të mos mbeten vetëm në asfaltimin e rrugëve, por të realizohen me standarde dhe të plotësojnë nevojat reale të banorëve.

Foto: E realizuar nga një banor

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Një aksident trafiku ka ndodhur në rrugën “28 Nëntori” në…