Haxhiu: ShKK kontribuon në forcimin e sundimit të ligjit, rëndësi ka edhe rehabilitimi i të burgosurve
Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK) ka rol të rëndësishëm në garantimin e sigurisë, zbatimin e ligjit dhe forcimin e sundimit të ligjit, por njësoj i rëndësishëm është edhe rehabilitimi dhe riintegrimi i personave të privuar nga liria, ka thënë kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, në ceremoninë e shënimit të 27-vjetorit të themelimit të këtij institucioni, raporton Ekonomia Online.
Haxhiu ka vlerësuar se funksionimi i Shërbimit Korrektues mbështetet në punën dhe përkushtimin e zyrtarëve që shërbejnë në këtë institucion.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës nuk është vetëm një institucion që administron vuajtjen e dënimit; ai është një institucion që garanton sigurinë, mbron rendin, zbaton ligjin dhe kontribuon drejtpërdrejt në forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës. Por mbi të gjitha, ky institucion qëndron dhe funksionon falë njerëzve që çdo ditë i shërbejnë atij me përgjegjësi, me profesionalizëm dhe me përkushtim”, tha ajo.
Ajo ka theksuar se suksesi i një sistemi korrektues nuk duhet të matet vetëm me administrimin e dënimeve, por edhe me mundësitë që u ofrohen të burgosurve për ndryshim dhe rikthim në shoqëri.
“Një përgjegjësi po aq e rëndësishme është kontributi në rehabilitimin dhe riintegrimin e personave të privuar nga liria, sepse sot një sistem Korrektues i suksesshëm nuk matet vetëm me aftësinë për të administruar dënimin, por edhe me mundësinë që u jep njerëzve të ndryshojnë, të përgatiten për një jetë të re dhe të rikthehen si qytetarë të përgjegjshëm në shoqërinë tonë”, tha ajo.
Ndërkaq, drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, ka thënë se gjatë viteve të fundit institucioni ka avancuar në aspektin ligjor, profesional dhe të sigurisë, me synimin për t’u përafruar me sistemet më të zhvilluara evropiane.
Ai ka bërë të ditur se ShKK-ja është fuqizuar me mbi 400 zyrtarë të rinj, ndërsa qindra të tjerë janë trajnuar brenda dhe jashtë vendit.
“Gjatë viteve të fundit kemi punuar një vizion me një vizion të qartë: ndërtimin e një shërbimi korrektues modern, profesional dhe të krahasueshëm me sistemet më të zhvilluara evropiane. Kemi avancuar kornizën ligjore përmes nxjerrjes së ligjit për shërbimin korrektues të Kosovës, ndryshimit të ligjeve kryesore dhe miratimin e rreth 30 akteve nënligjore. Kemi investuar në ngritjen profesionale të stafit, me qindra zyrtarë të trajnuar brenda dhe jashtë vendit, si dhe kemi fuqizuar institucionin me mbi 400 zyrtarë të rinj”, tha ai.
Dibrani ka theksuar gjithashtu se mbi 5 mijë persona të privuar nga liria janë përfshirë në programe edukative, profesionale dhe rehabilituese, ndërsa janë bërë investime në infrastrukturë, teknologji dhe sistemin e sigurisë.
“Kemi themeluar institucionin për trajtimin e personave me nevoja të veçanta, kemi modernizuar infrastrukturën, kemi investuar në teknologji dhe kemi avancuar sistemin e sigurisë. Mbi 5 000 persona të privuar nga liria janë përfshirë në programe edukative profesionale dhe rehabilituese. Kemi nënshkruar me dhjetëra marrëveshje të bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile, duke krijuar mundësi të reja për arsim dhe përgatitje për rikthim në shoqëri. Këtu nuk janë vetëm statistika. Janë parandaluar dhe zbuluar rreth 600 raste të reja të parandalimit të kondrabandës”, tha ai.



