Kosova dhe Turqia zhvillojnë konsultime politike, diskutojnë marrëveshjet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë

23 nëntor 2026 | 16:12

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Kreshnik Ahmeti, ka zhvilluar konsultime politike në Ankara me homologun e tij turk, Kemal Mehmet Bozay, ku është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit bilateral, marrëveshjet në proces dhe avancimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, konsultimet janë zhvilluar në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë.

Gjatë takimit, të dyja palët kanë konfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet vendeve dhe vullnetin për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.

Në fokus të diskutimeve kanë qenë marrëveshjet që janë në proces, veçanërisht në fushën e mbrojtjes, sigurisë, arsimit dhe turizmit, me synimin për avancimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

Po ashtu, është diskutuar për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe avancimin e procesit të integrimit në strukturat euroatlantike.

Në këtë takim, zëvendësministrat kanë shkëmbyer pikëpamje edhe për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në rajon dhe në nivel global, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit të vazhdueshëm për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë.

Sipas njoftimit, konsultimet kanë konfirmuar vullnetin e përbashkët për intensifikimin e dialogut politik dhe konkretizimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fusha me rëndësi strategjike.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Hakerët dyshohet se kanë depërtuar në Qendrën Kombëtare të Informacionit…