Modriqi i rekomandon Milanit kë ta transferojnë si zëvendësues të tij
Mateo Kovaçiq është shndërruar në një nga alternativat e Milanit për ta zëvendësuar Luka Modriqin gjatë verës së ardhshme.
Mesfushori kroat, 32 vjeç, ka kontratë me Manchester Cityn deri më 30 qershor 2027 dhe nuk ka ndërmend ta rinovojë atë, prandaj mund të transferohet në San Siro pa kosto të kartonit.
Sipas raportimeve të Milan Vibes, vetë Modriqi ia ka rekomanduar drejtuesve të klubit afrimin e bashkëkombësit të tij. Të dy kanë një raport të mirë shoqëror, pasi kanë ndarë dhomën e zhveshjes te Real Madridi dhe kanë luajtur së bashku për shumë vite edhe në përfaqësuesen e Kroacisë.
E ardhmja e fituesit të Topit të Artë për vitin 2018 ende nuk është vendosur. Në moshën 41-vjeçare, Modriqi do të duhet të vendosë në fund të sezonit nëse do të vazhdojë të luajë në Itali, do të rikthehet te Dinamo Zagrebi apo do t’i japë fund karrierës si futbollist profesionist.
Mungesa e hapësirave në Angli e ka shtyrë Kovaçiqin të mendojë për ndryshimin e skuadrës. Gjatë këtij sezoni, ai ka luajtur vetëm në tri ndeshje të Ligës Premier, duke grumbulluar gjithsej 92 minuta.
Problemet fizike dhe konkurrenca në mesfushën e Manchester Cityt kanë ndikuar në minutazhin e tij. Paraqitja e fundit me skuadrën angleze ishte më 4 nëntor, kur luajti për shtatë minuta në përballjen ndaj Leipzigut në Ligën e Kampionëve.
Kovacic e njeh mirë futbollin italian, pasi ka qenë pjesë e Interit nga janari i vitit 2013 deri në verën e vitit 2015, përpara se të transferohej te Real Madridi.
Me skuadrën madrilene, kroati fitoi tri herë radhazi Ligën e Kampionëve.




