Klevisi, një yll i ri që po ndjek gjurmët e familjes Xhaka!
Në familjen e Ragip Xhakës, futbolli është më shumë se një sport, është pasion, përkushtim dhe traditë që përcillet brez pas brezi.
Klevis Xhaka, djali i futbollistit Taulant Xhaka, po hedh hapat e tij të parë në botën e futbollit, duke ndjekur gjurmët e babait të tij dhe të axhës, yllit shqiptar Granit Xhakës, dy emra që kanë lënë gjurmë të rëndësishme në futbollin shqiptar dhe atë ndërkombëtar.
Edhe pse ende i vogël, Klevisi po tregon se talenti, dashuria për futbollin dhe dëshira për të mësuar nuk kanë moshë. Ai stërvitet dhe luan së bashku me bashkëmoshatarët e gjeneratës së tij në Basel të Zvicrës, ku çdo ditë po fiton përvojë dhe po zhvillon aftësitë e tij.
Stili i tij i lojës, mënyra si e kërkon topin, guximi në fushë dhe dëshira për të dhënë maksimumin po e bëjnë Klevisin një emër që ia vlen të përcillet me vëmendje. Ai tashmë ka arritur të fitojë edhe kupën me ekipin e tij, ndërsa është shpallur edhe lojtari më i mirë i ndeshjes – arritje të bukura për një futbollist kaq të ri.
Sigurisht, rruga drejt futbollit të madh është e gjatë dhe kërkon shumë punë, disiplinë e sakrificë. Por me një familje që e njeh mirë këtë rrugëtim, me babanë Taulant dhe axhën Granit si shembuj frymëzues, Klevisi ka pranë vetes motivimin dhe mbështetjen e duhur.
Familja Xhaka, e cila jeton në Basel të Zvicrës, mund të ketë një tjetër futbollist për të cilin do të flitet në vitet e ardhshme.





