Autoboti përfshihet nga flakët në autostradën e Kajros, 31 të vdekur
31 persona kanë humbur jetën dhe 21 të tjerë janë lënduar si pasojë e një zjarri të madh në një autostradë të frekuentuar në Kajro të Egjiptit, pasi një autobot me karburant u përfshi në një aksident. Kështu ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë e Egjiptit.
Pas incidentit, i cili ndodhi të mërkurën në mbrëmje në një segment të unazës rrugore në lagjen Warraq, në veri të qendrës së vjetër të qytetit, të lënduarit u dërguan në spitalet e afërta. Ata po trajtohen për djegie dhe probleme të shkaktuara nga thithja e tymit.
Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë flakë të mëdha dhe re të dendura tymi të zi që ngrihen në qiellin e natës, ndërsa disa automjete pranë vendit të ngjarjes janë përfshirë nga zjarri, raporton BBC.
Autoritetet ende nuk kanë dhënë një version zyrtar për mënyrën se si nisi zjarri. Megjithatë, mediat shtetërore raportojnë se autoboti ishte përmbysur, duke derdhur karburant mbi automjetet përreth.
Prokuroria rajonale ka nisur hetimet për rastin, ndërsa ka kërkuar marrjen e mostrave të ADN-së nga trupat e viktimave, me qëllim identifikimin e tyre.
Sipas gazetës shtetërore “Al-Ahram”, e cila citon burime të afërta me hetimet, autoboti i përkiste një kompanie private dhe po lëvizte në autostradë kur një kabllo e tensionit të lartë ra përpara tij. Kjo bëri që shoferi të humbiste kontrollin e automjetit.
Më pas, autoboti kaloi ndarësen e mesit të rrugës, u përmbys dhe mori flakë.
Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se në vendin e ngjarjes ishin dërguar 39 ambulanca për t’u dalë në ndihmë të prekurve. Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë së Egjiptit ka vizituar njërin nga spitalet e Kajros, ku po trajtohen të lënduarit.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë një numër të madh qytetarësh të mbledhur në autostradë pasi zjarri ishte shuar, ndërsa ekipet emergjente kishin bllokuar hyrjet për të mundësuar ndërhyrjen e tyre.
Egjipti është përballur edhe në vitet e fundit me disa zjarre vdekjeprurëse. Zonat e banuara në mënyrë informale dhe infrastruktura shpesh e amortizuar konsiderohen ndër faktorët që rrisin rrezikun e incidenteve të tilla. Përballimi i tyre vështirësohet edhe nga vonesat në reagimin e shërbimeve emergjente dhe përpjekjet e improvizuara për shpëtimin e personave të bllokuar.
Edhe aksidentet rrugore janë të shpeshta në Egjipt, ku shpeshherë shkaktarë përmenden mirëmbajtja e dobët e rrugëve dhe mosrespektimi i rregullave të trafikut.
Sipas statistikave zyrtare, vetëm gjatë vitit të kaluar në rrugët e Egjiptit kanë humbur jetën afro 6 mijë persona, disa qindra më shumë krahasuar me vitin paraprak.
Pas përfundimit të ndërhyrjes, ekipet emergjente kanë larguar mbetjet e automjeteve të djegura dhe kanë bërë të mundur rihapjen e autostradës për qarkullim, raportoi transmetuesi shtetëror NMA.



